Në Nju Jork, paradë shqiptare me temë Çamërinë
Komuniteti shqiptar i Nju Jorkut shpalosi ngjyrat e tij edhe një herë të shtunën, me paradën që organizon tashmë çdo vit në Manhatan. Mes mijëra njerëzve që morën pjesë kishte shqiptarë edhe nga shtete të tjera. Këtë vit parada shqiptare kishte si temë Çamërinë.
Parada shqiptare krijoi edhe këtë vit një det flamujsh të kuq në qendër të Manhatanit, me shqiptarët që këndonin dhe kërcenin këngë popullore nga krahina të ndryshme.
E veçanta këtë vit ishte se parada i kushtohej Çamërisë.
Organizatorët thanë se duan që qeveria greke të njohë masakrat ndaj popullsisë çame dhe dëbimin e tyre nga trojet 75 vjet më parë, në vitin 1944.
Marko Kepi, drejton shoqatën Rrënjët Shqiptare, që bashkërendon organizmin e paradës.
“Ne kërkojmë nga Greqia thjesht një falje, nuk duam hakmarrje. Gjithashtu duam që t’i lejojnë viktimat, t’i lejojnë të mbijetuarit të kthehen në shtëpitë e tyre, aty ku janë me shekuj.”
Vera Cosgrove Xhafo, agjente imobiliare, ka ardhur për t’i bërë një homazh të atit që arriti në Nju Jork nga fshati Filat i Çamërisë mbi një shekull më parë:
“Im atë erdhi këtu në vitin 1917 kur ishte 18 vjeç. Mbiemri i tij ishte Xhafo. Ai u largua nga Filati për shkak të gjenocidit. Grekët erdhën dhe i vranë të gjithë. E gjithë familja u largua dhe përfundoi në Tiranë, ndërsa ai erdhi i vetëm në Shtetet e Bashkuara”, thotë Vera Cosgrove Xhafo./VoA