Në Obiliq do të ndërtohet tri fusha të futbollit

29 gusht 2018 | 17:02

Pas kërkesës së MKRS-së dhe miratimit të saj nga Kuvendi Komunal i Obiliqit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Futbollit e Kosovës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi që kësaj të fundit t’i kalohen në shfrytëzim dy parcela në Komunën e Obiliqit, në një hapësirë totale prej 102,817 m2.

Shfrytëzimi i këtyre parcelave do t’i jepet FFK-së me qëllim të investimit në një stadium që do të ndërtohet në këtë hapësirë, ku kjo e fundit do të investojë tre milion euro.

Në kuadër të këtij projekti kapital në fushën e infrastrukturës fizike sportive do të ndërtohen stadiumi kryesor, tribunat, ndërtesa e qendrës dhe fushat ndihmëse. Në bazë të këtij memorandumi i cili ka për qëllim zhvillimin dhe masivizimin e sportit, ngritjes së kapaciteteve dhe investimeve në infrastrukturën sportive, parashihet edhe që pas përfundimit të projektit të punësohen punëtorë nga Komuna e Obiliqit.

FFK-ja do të mirëmbajë dhe menaxhojë tërë kompleksin dhe do të koordinojë aktivitetet dhe manifestimet sportive dhe pa kompensim do të lejojë që të tillat të zhvillohen në këtë kompleks.

Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi u shpreh se memorandumi që po nënshkruajnë me FFK-në të dyja do të investojnë në tri fusha ndihmëse në Obiliq. Ministri shpjegoi se mjetet financiare të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e këtij projekti janë nga buxheti i UEFA-së, dhe procesin e investimeve do ta përfundojë FFK-ja, kurse Ministria e Sportit ka siguruar këto parcela nga Komuna e Obiliqit.

“Ky projekt është njëri nga projektet më të rëndësishme në infrastrukturën sportive, në kuadër të kësaj të gjitha investimet do të jenë bashkëpunim i MKRS-së dhe FFK-së. Është një model i ri i bashkëpunimit për vitin 2018-2019. Këto do të jene vite që do të kenë fokus të veçantë në infrastrukturën sportive, që nga anëtarësimi i sportit tonë në FIFA dhe UEFA kërkon investime të reja në fushën sportive”, ka thënë ministri Gashi.

“Ne po krijomë mundësi të reja në infrastrukturën sportive me qëllim që t’i plotësojmë kushtet e klubeve tona. Infrastruktura sportive mungon. Shumë klube nuk kanë ku të zhvillojnë përgatitjet për lojëra. Ky është projekt i qëlluar dhe meritë e FFK-së që kanë arritur të sigurojnë mjetet financiare nga UEFA”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka deklaruar: “Ky është njëri nga projektet të cilat do t’i realizojmë kemi filluar më projektet e 12 stadiumeve për 12 ekipe, kemi përfunduar stadiumin ‘Fadil Vokrri’ i cili fal angazhimit të ministrit dhe Ministrisë ka përfunduar dhe është stadium i cili do të pranohet për ndeshjet e kategorisë katër, po ashtu shpejti do të filloj projekti edhe për stadiumin ‘Adem Jashari’ i cilit do të bëhet stadium i kategorisë katër. Do të kemi edhe projekte të reja të cilat do të financohen nga Ministria e Sporti si stadiumi Nacional, Stadiumi i Prizrenit, Gjilanit dhe në të gjitha qytetet”.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet e qytetit gjerman Wiesbaden kanë larguar statujën e artë…