Në odën e Jasharëve më 24 janar 1998: “Dihet se si na zë nata, por nuk dihet se si dhe a do të na çelë sabahi”!
Nga: Agim Zogaj, Besa Ilazi dhe Hazir Reka (botuar në Javorën Politike Shqiptare “Zëri”, më 30 janar 1998)
Plaku e fillon rrëfimin e vet me fjalët: “S’po bahet, veç mos me metë gjallë hiq. Na askujt kurrgja nuk i kemi ba, por na po i pengojmë dikujt vetëm se jemi gjallë … Jemi në tokat tona, prej këtu s’kemi kah shkojmë. Po donë me na hjekë në mujshin, po ne nuk kemi ku me shku. Shka me bo. Druni s’po na shkoqet, zullumi s’po na hjeket. Dikush e ban, dikush s’mun e ban” – thotë mixha Shaban.
Mëngjes i ftohtë ishte ai kur morëm rrugën për në Drenicë. Rrugëtimi deri në Skënderaj nuk pati asgjë të pazakonshme, nëse për një moment harrohet atmosfera e rëndë e cila pa sukses përpiqej të fshihej pas qetësisë së rrejshme. Dita e 24 janarit ishte dita e parë e të pamës në familjen e të vrarit Hysen Manxholli.
Në Skënderaj autoblinda e policisë në qendër të qytezës dëshmonte për gjendjen e rëndë në këtë pjesë të Kosovës.
Në odën e jasharajve
“Ku është Prekazi i Poshtëm?” – pyetëm. “Në Drenicë, në zemër të Kosovës, në verilindje të Skënderajt, vetëm dy kilometra larg prej këtu …”, na tha shoqëruesi ynë i cili mundohej të na i sqaronte disa gjëra që nuk i dinim. Shumë shpejt u gjetëm para shtëpive të Jasharajve, e biseda na mbeti në gjysmë. Ky ishte Prekazi i Tahir Mehës, e tash ky është Prekazi i Shaban Jasharit, fshat jo i vogël që numëron rreth 400 shtëpi. Dyert e mëdha të shtëpisë së Jasharajve ishin skaj rrugës, e para tyre prisnin një grup djelmoshash të cilët i orientonin mysafirët. Drejt kësaj shtëpie mësynin nga të gjitha anët, shkonin për ta takuar mixhën Shaban, kryefamiljarin e shtëpisë, i cili dy ditë më parë ishte ballafaquar me policinë serbe. Na pranuan edhe neve në odën e Shaban Murat Jasharit, zotit të shtëpisë.
Në odën e madhe, të mbushur përplot me bashkëfshatarë, miq, dashamirë e farefis të familjes Jashari, mixha Shaban qëndronte i ulur në krye të oxhakut. Oda do të ishte krejtësisht e zakonshme po të mos e kishte në ballë një flamur kombëtar të shtrirë të tërin në një anë të murit të odës dhe mbi të një mbishkrim i veçantë që thoshte: Mos e lejoni malin me dushk që t’ju ndryshkë allti e pushkë!
“Ishe ba i fortë si graniti, o Shaban. Zoti ua pagoftë!” – i thoshin të afërmit. Disa e pyesnin: “A u mërzite, o Shaban Murati?” “Jo, jo, aspak. Pse m’u mërzit?” – ua kthente plaku. “Shaban Jashari” – foli një plak – “e mbrojti nderin e familjes së vet, e mbrojti ashtu si e mbron shqiptari pragun e shtëpisë”. “Si nuk mendohet kjo Serbi – tha dikush nga fundi i odës – kur një ditë mashtron duke thënë se u sulmua stacioni i policisë, e ditën tjetër thotë se shqiptarët u përleshën mes veti”.
Shaban Jashari, 71-vjeçar, me urtinë e vet, më me dëshirë i dëgjonte mysafirët e odës, megjithatë, dikush i kërkoi që t’i thotë dy fjalë.
“Nuk i kam shti mendët, thotë, se do të shpëtojë dikush nga familja ime atë mëngjes. Natën na e kishin këput rrymën e lidhjet telefonike. E, pastaj, krejtësisht tinza në pesë të mëngjesit na kishin sulmue nga të gjitha anët”. “Jo”, vazhdoi, “nuk kam ku të shkoj përtej pragut të shtëpisë sime. Do të vdesim të gjithë, i madh e i vogël në mbrojtje të dheut tonë, të nderit e të kombit. Do të vdesim të gjithë për një, se përtej vdekjes për vatan nuk kemi ku të shkojmë, ndryshe as zoti nuk na pranon”.
Njerëzit hynin e dilnin në odën e Shabanit duke ia shtrënguar dorën e duke ia rrahur supet, me qindra pa pushuar tërë ditën. E, ai nuk lodhej, fliste. Mixha Shaban gjeti pak kohë edhe për ne, edhe pse u detyrua kështu t’i lërë mysafirët vetëm.
Sulmi i 22 janarit ndaj kësaj familje nuk ishte i pari. Kjo familje, e cila që kur dihet kishte pasur probleme me pushtetin serb, ka historinë e saj.
Tri lagje të një fshati të cilin e di tërë Kosova
Plaku e fillon rrëfimin e vet me fjalët: “S’po bahet, veç mos me metë gjallë hiç. Na askujt kurrgja nuk i kemi ba, por na po i pengojmë dikujt vetëm se jemi gjallë … Jemi në toka tona, prej këtu s’kemi kah shkojmë. Po donë me na hjekë në mujshin, po ne nuk kemi ku me shku. Përtej shtëpisë s’kemi ku me shku …”.
Fjalët e plakut ndërpreheshin nga krismat e tjegullave që binin nga kulmi e të cilat bashkëfshatarët vullnetarisht kishin ardhur për t’ia meremetuar shtëpinë e shkatërruar nga predhat dhe plumbat.
“Ne jemi të Prekazit të Poshtëm, Prekazit të Tahir Mehës, është fshat prej tri lagjeve, që të gjithë jemi të një gjaku. Kanë qenë tre vëllezër, Jashari, Meha dhe Kadriu, e prej tyre janë krijuar tri lagjet e katundit: Lagjja Jasharaj, Mehaj dhe Kodrali. Lagjja Jasharaj jemi ne. Tre djem i kishte pasur Jashari. Familja ime është e të tretit djalë të Jasharit, e Muratit. Muratin e kishin pasë thirrë atëherë për të shkuar ushtar për mbretin dhe prej atje nuk kthehet kurrë. Murati e kishte pasë lënë një djalë e një çikë. Çikën dy vjeç e djalin në djep. Djalin e Muratit, Fazliun, e rrit mixha, e marton dhe e ndan. Edhe Fazlia e len vetëm një djalë, Muratin. Ky është babai im. E unë i kam tre djem, Rifatin 50-vjeçar, Hamzën 47-vjeçar dhe Ademin 44-vjeçar. Tash, shyqyr Zotit, kam shumë nipa dhe mbesa, sepse vetëm ne Jasharët jemi një shtëpi, se ata të dy lagjeve tjera, Kodralitë dhe Mehajt, janë shtuar nga 30 shtëpi. Po tash jemi bërë 30 anëtarë të familjes. Rifati i ka tetë fëmijë, Hamza nëntë dhe Ademi pesë”, thotë plaku.