Në orbitën e dhimbjes

01 prill 2025 | 12:40

Kemajl Aliu

(Mimozë Bytyçi Rrahmani, “Kur dhimbja flet”, botoi “Armagedon”, Prishtinë, 2024)

Vetë titulli i librit me poezi “Kur dhimbja flet”, i Mimozë Bytyçi Rrahmani, sikur sinjalizon për një paralajmërim se poetja tërë diskursin e verbit poetik të saj, konstruktin poetik e ngritë dhe e manifeston kryesisht brenda suazave të orbitës së dhimbjes. Përndryshe ky është libri i parë me poezi i saj i cili dëshmon prirje dhe talentin krijues të kësaj poete, për të shprehur preokupimet, botën e saj poetike nëpërmes një gjuhe artistike komunikuese – të drejtpërdrejtë, esenca estetike e së cilës është të kapë thelbin e situatave apriori psiko-emocionale pa e bërë të ndërlikuar këtë gjendje emotive dhe pa e rënduar vargun e saj poetik me elemente stilistike dhe figurative, çka e bënë atë poezi të balancuar midis thjeshtësisë dhe thellësisë shprehëse artistike.

Sa i përket shtjellimit tematik- motivor vlen të theksojmë, se temat dominuese bien kryesisht në domenin e dhimbjes, vetmisë, errësirës, absurdit, fëmijërisë dhe mallit për të pakthyerën, të cilat ndërtojnë boshtin gravitues të mbarë librit, të cilat motive edhe kur poetja nuk i trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë, prapë aksenti bie në to. E tërë hapësira librore është e dominuar nga një ngjyrim i mugët, e që njëherësh është epiqendra e mbarë diskursit poetik. Mirëpo mjeshtëria e poetes vërehet sidomos në shkathtësinë që përmes nuancimit të shprehjes poetike të plasoj një heterogjenitet karakteristik nëpërmes të cilit shumëfishohen shtresat, nocionet dhe nëntekstet poetike kuptimore që e pasurojnë dhe e bëjnë më të thelluar tërësinë e verbit poetik, në orbitën e dhimbjes të dominuar apriori, siç thamë më lart nga ngjyrimi i mugët.

Libri ka 100 faqe me poezi të përafruara tematikisht bukur shumë, prandaj në këtë kuptim edhe nuk vërehet ndonjë plasaritje apo fragmentarizëm i librit si tërësi, por konsideroj se libri do të ishte shumë më mirë sikur të organizohej, gjegjësisht të sistemohej në disa cikle, bie fjala katër, pesë, apo gjashtë sosh.

Se dhimbja është e përhershme e pashmangshme e pa evitueshme dhe se si e tillë ajo është determianante e projeksionit të vet fatit jetësor, kjo vërehet më së miri te poezia (“Kush” (fq. 17) ku poetja thotë: /Kush tha se dhimbja s’flet/ Kush s’e dëgjoi tek bredh;/… /…kur dhimbjen provoi/ Kush s’u bë dhimbje, kur dhimbja e kaploi/. Me këtë rast poetja nuk e paraqet dhimbjen si diçka individuale, apo të personalizuar. Ajo çka mund t’i atribuohet është vetëm aspekti i përjetimit si intimizim në kuptimin subjektivizmit gnoseologjik, përndryshe poetja dhimbjen e shpërfaqë në dimensionet dhe përmasat e saja universale.

/Në shteg të fatit/ nisur e pa pritë/ sprovuar/ thotë poetja në poezinë (” Sprovë” fq. 87, nga kuptojmë se fati në jetë, është i rëndë, është sprovues kokëfortë dhe i shurdhër. Si i tillë ai është edhe sinonim i të tjetërsuarit – i shndërrimit të jetës në dhimbje. Edhe në poezitë tjera poetja trajton tematikë dhe motive analoge, e ajo çka është karakteristike është se fillimisht poezia ka njëtrajtshmëri narracioni, por më pastaj ka ngritje dhe refleksione të fuqishme, duke lëvizur prej dramatizimit të situatës, kah fiksimit i emocioneve me çka poetja arrin të krijoj një efekt të thellë te lexuesi. Të theksojmë se nëpërmes pyetjeve retorike që poetja i ngre në disa poezi, e begaton librin e saj përgjithësisht, sepse përveç inicimit të një ideje, arrin të nxisë një përgjigje të nënkuptuar. Në këto raste pyetja retorike duke qenë dramatike përveç që shkakton intensifikimin emocional gjithsesi krijon edhe ritëm në poezi. / Pse n’ëndërr e vërtetë je/…/ Pse nuk vjen në dritë t’zbulohesh/…/ Pse gjithmonë je si vegim/ ”Pse veç në ëndërr je?”, fq. 89. Fati njerëzor siç thamë më lartë edhe pse është i rëndë qenia njerëzore vazhdon rrugëtimin, i cili rrugëtim është përplot të panjohura, pa dritë dhe pa krah njeriu… Tërë fuqia e kësaj poezie qëndron në metaforën ku, lëvizja, shqisat dhe ndriçimi i këtij rrugëtimi krejt vetmitar dëshmojnë një copë rrugë, (nga rruga e pafund) e që në fakt është një copë jetë…Drita, zëri i ngelur janë gjurmët që dëshmojnë këtë rrugëtim të rëndë…. M’ra hise/ një rrugë/ pa e ditë asnjë pëllëmbë/ me e nisë me sy mbyllë/ pa e ditë kah tretë/…? M’ra hise / një rrugëtim/ pa ditë gja/ kambë, duar, vesh, za, sy, dritë, vet mu ba/ ”Rrugë pa dritë”, fq. 20.

Jeta është e rëndë, është përplot dhimbje ka dhimbjen e saj deri në absurditet. Absurdi i saj është se dhimbja e saj është e padukshme, nuk është e vërejtshme (Gjithmonë fizikja që mund të shpërfaqë përmasën e një dhimbjeje sikur është një tregues i pasaktë, sepse dhimbja, rrjedh diku në brendësi, asaj i mungon zëri e britma… po djeg thellësive përbrenda prandaj poetja thotë; / Pse s’del ky lot?/ Pse s’del/ kur i dhimbjes është/ ”Pse”, fq. 24. Tematikisht me poezitë lidhet edhe poezia (” Vuajtja ”) fq.26 ku poetja thotë: / Si natë e heshtur/ si jehonë pa zë/ pa ngjyrë /e varur në mur/…/ Veç ti e sheh/ i jep ngjyrë/ e njeh /, apo në poezinë; ” Rrëfejzë” fq. 27, ku thotë: / Natës rrëfehem/../ M’i mori skutat e mia/. Asnjë shpresë, asnjë mundësi në përpjekje për të gjetur një skutë, që se ka zënë nata. Askund skutë për tu strukur, apo yll shprese çka dëshmon narracion retrospektiv të poezive pararendëse. Me vargje tejet të fuqishme paraqitet dashuria e nënës. Kjo dashuri shpërfaqet herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë të tërthortë. Në fakt libri “ Kur dhimbja flet” është dedikim për birin e saj, për të cilin poetja do të thotë; / mrekulli brenda trupit tim/../flija zgjohesha…/…/ erdhe si dritë. Një bekim,/ rrezatove…/. Apo vargjet / oh veç Ti m’ban me jetu/ kësaj jete me i besu…/ ”Veç ti”, fq. 82.

Fëmijëria është një nga temat e cila pothuajse në pjesën më të madhe të librave poetikë zë një vend të rëndësishëm, si temë gjithmonë e begaton librin në mënyrë të veçantë. Edhe poetja, paraqet nostalgjinë për fëmijërinë e saj, ku ëndërron, përkundjen, vrapimin kalldrëmëve, rrugëtimin mbi urën e gurit, ëndërrimin fëmijëror, majën e kalasë së gurit: / më ço atje erë/ më merr më bëj fëmijë dhe njëherë/ , ” Erë më merr”, fq. 60. Gjithashtu si vazhdimësi jo vetëm në kontinuitet e këtij ligjërimi poetik, por edhe si kapërcim gjegjësisht tejzgjatim konceptual mund të ndërlidhet edhe poezia ”Krojeve pa shpresë” fq. 96 ku poetja thotë: / s’ paska mbetë/ as shenjë/ ,,,./ krojet qenkan tha/ e unë tuj kërkue/ paskam mbetë./

Siç thamë më lart edhe pse poetja përdor një narracion kryesisht linear, dhimbjen e cila është kryetema e këtij libri, poetja ka arritur ta shpërfaqë bindshëm të poetizuar simbolikisht duke e ndërlidhur atë me vetminë dhe shirat e vjeshtës…Shiu depërton thellësive dhe brendisë të qenies duke lagur kujtimet ai është asocijim, prandaj edhe hedhë pikëllimin vjeshtorë ndër to, lag mendimet shpresat të cilat ikin… Është ky shiu që shkakton vjeshtën shpirtërore duke mbuluar çdo stinë të tij me vrushkuj shirash dhe rënie gjethesh të zverdhura poezia ; (” Bie ”) fq. 40.

Poezia e librit “Kur dhimbja flet” në pjesën më të madhe të saj, është poezi ku trajtohet, fakticiteti i jetës reale dhe konkretësia e përditshmërisë, dashuria, fati i rëndë gjegjësisht dhimbja të cilën poetja e aksenton deri në absurditetin e saj. “ Që të kuptojmë shpirtin e një poeti- pat thënë babai i poezisë moderne Sharl Bodler – duhet t’i kërkojmë fjalët që hasen më së shpeshti në veprën e tij.” E kjo është lehtë e hetueshme në këtë libër.

Në fund mund të konstatojmë se libri “Kur dhimbja flet” marrë në tërësi shënon një fillim të mbarë në rrugëtimin krijues të kësaj poetes M. B. Rrahmanit. Kjo mund të vërehet se vargjet e poezisë së saj edhe pse janë vargje të një narracioni kryesisht linear, ajo ka arritur që lexuesit t’i ofroj një poezi të balancuar midis thjeshtësisë dhe thellësisë shprehëse artistike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e ShBA-së në Prishtinë ka njoftuar se janë ekstraduar…