Në Oslo do të mbahen bisedime për krizën në Venezuelë
Përfaqësuesit e Qeverisë dhe opozitës së Venezuelës, javën e ardhshme do të takohen në Oslo të Norvegjisë, për bisedime, sesi të adresojnë krizën politike, që ka përfshirë këtë vend.
Takimi në Oslo është konfirmuar nga Qeveria norvegjeze, e cila përsëriti angazhimin e saj për të ndihmuar palët që të gjejnë një zgjidhje, raporton “BBC”.
Ministria e Jashtme norvegjeze, përmes një njoftimi për media ka thënë se “akterët kryesorë politikë të Venezuelës” do të marrin pesë në këto diskutime, duke ripërsëritur qëndrimin e Norvegjisë se është e gatshme “të mbështesë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje” për krizën.
Bisedime ndërmjet pushtetit dhe opozitës së Venezuelës janë mbajtur edhe më herët gjatë këtij muaji, por opozita ka thënë se nuk ka pasur ndonjë takim kokë më kokë me përfaqësuesit e Qeverisë.
Venezuela është në krizë të thellë politike tash e disa muaj. Lideri opozitar, Juan Guaido, në muajin janar, shpalli veten president të përkohshëm, duke argumentuar se rizgjedhja e presidentit Nicolas Madruo, vitin e kaluar, ishte “jolegjitime”.
Megjithatë, Maduro ka refuzuar që të largohet nga pushteti.
Lidhur me takimin në Oslo, Guaido ka konfirmuar se përfaqësuesit e tij “do të bisedojnë edhe me përfaqësuesit e Qeverisë norvegjeze, por edhe ata të regjimit”.
Po ashtu, Maduro, përmes një postimi në “Twitter”, ka konfirmuar se delegacioni i tij “është i gatshëm të punojë për një agjendë gjithëpërfshirëse, që çon drejt nënshkrimit të marrëveshjeve”.
Përpjekjet e mëparshme për ndërmjetësimin e një zgjidhjeje mes dy palëve kanë dështuar.