Në Pagarushë zbulohet lapidari për dëshmorët dhe të rënët e fshatit
Në fshatin Pagarushën të Malishevës është bërë zbulimi i lapidarit, përkatësisht pllaka përkujtimore për të rënët e fshatit Pagarushë, dëshmorët dhe martirët e fshatit.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Nait Hasani, njëri nga themeluesit e UÇK-së, Kadri Kryeziu dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të politikës dhe qytetarë të shumtë.
Pllakën për të rënët e fshatit e kanë shpalosur familjarët e dëshmorëve të fshatit, së bashku me kryetarin e Kastratin.
Në fjalën e rastit, Kastrati ka thënë se “kjo pllakë, me këta emra, në vete mbanë të gjitha vlerat më të larta të një kombi: luftën, krenarinë, dinjitetin dhe sakrificën. Ne sa më shumë që i respektojmë këto vlera, do të jemi gjithmonë më mirë. Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve të kombit”.
Ndërsa, Nait Hasani, në fjalën e tij, ka bërë thirrje për unitet dhe mbrojtje të vlerave të luftës. Ai ka thënë se këto vlera sot mbrohen duke mbrojtur krerët e luftës, të cilët padrejtësisht po gjykohen në Hagë, dhe duke i mbrojtur ata, ne mbrojmë edhe lirinë që kemi fituar.
Hasani ka përgëzuar pagarushasit për këtë vepër dhe për kontributin e këtij fshati, sidomos gjatë luftës së fundit, ku kanë mbajtur me bukë mbi 100 mijë banorë të zhvendosur dhe kanë furnizuar me armë të gjithë ata që kanë luftuar.
Në emër të degës së OVL të UÇK-së , ka folur Januz Mazreku, i cilika thënë se pa krismat e pushkës dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve, nuk do ta kishim lirinë.
Në emër të luftëtarëve të fshatit, ka folur i Sahit Pagarusha, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve ka folur Fidaim Krasniqi. Për historinë e fshatit dhe kontributin në luftë ka folur Nysret Kryeziu.