Në Panairin e Librit të Vjetër, të enjten bashkëbisedim me poetin Agim Vinca
Më 11, 12 dhe 13 dhjetor (e mërkurë, e enjte, e premte), nga ora 10:00-17:00, në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” në Prishtinë do të organizohet edicioni V i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur.
Përpos paraqitjes së librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, në këtë edicion do të organizohen edhe disa përurime të librave e të veprave, bashkëbisedime me shkrimtarë dhe studiues dhe një orë letrare.
Pas ceremonisë së hapjes së panairit, e cila do të organizohet të mërkurën në orën 11:00, në orën 12:00 do të përurohet vepra “Vetëm me vetminë” e poetit Bedri Zyberaj, për të cilën do të flasin Sali Bytyçi dhe Berat Armagedoni. Po ashtu, do të zhvillohet një bashkëbisedim me Zyberajn për krijimtarinë letrare dhe studimore.
Ndërkaq të nesërmen, e enjte (12 dhjetor), me fillim nga ora 11:00, do të organizohet bashkëbisedim me profesorin, studiuesin dhe poetin Agim Vinca.