Në Paris Wilsoni e tha atë që nuk mundi ta shpaloste Hasan Prishtina

25 qershor 2019 | 13:26

Atë që nuk mundi ta shpaloste Hasan Prishtina, e bëri politikani i madh amerikan Woodrow Wilson.

Woodrow Wilson do të mbetet në histori si një zë i gjallë që i dha jehonë ideve të pashpaluara politike kombëtare të Hasan Prishtinës në një forum ndërkombëtar, siç ishte Konferenca e paqës në Paris. Historia më vonë do ta vërtetojë se vazhdimësia e këtyre ideve që u perceptuan aq drejt nga Wilsoni, do të jetë në fakt simbioza e një lidhje të fuqishme shqiptaro-amerikane në të gjitha përpjekjet liridashëse të shqiptarëve.

Nga Mehmet Prishtina

Woodrow Wilson është i paharruar për shqiptarët sepse roli i tij këmbëngulës dhe vizionar në refuzimin e planeve famëkeqe për ndarjen e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, me ç’rast ai e mbrojti me shumë dinjitet parimin e vetëvendosjes së popujve, elaboruar në planin e tij 14 pikësh.

Po në atë vit, Hasan Prishtina u emërua në krye të delegacionit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris, në fokus të së cilit ishte kërkesa për bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar. Siç dihet Hasan Prishtinës dhe delegacionit që kryesonte ai, nuk iu lejua e drejta e fjalës në këtë Konferencë.

Por atë që nuk mundi ta shpaloste Hasan Prishtina, e bëri politikani i madh amerikan Woodrow Wilson. Me fjalë të tjera, Woodrow Wilson do të mbetet në histori si një zë i gjallë që i dha jehonë ideve të pashpaluara politike kombëtare të Hasan Prishtinës në një forum ndërkombëtar, siç ishte Konferenca e paqes në Paris.

Historia më vonë do ta vërtetojë se vazhdimësia e këtyre ideve që u perceptuan aq drejt nga Wilsoni, do të jetë në fakt simbioza e një lidhjeje të fuqishme shqiptaro-amerikane në të gjitha përpjekjet liridashëse të shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e tyre stërgjyshore, duke përfshi edhe periudhën e fundit kur Kosova tash më po kremton 20 vjetorin lirisë së shumëpritur në saje edhe të kontributit madhor të pasuesve të presidentit Woodrow Wilson.

Ky i fundit ishte zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara tre javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912 dhe asnjëherë nuk e kishte menduar se fjala e tij në një Konferencë ndërkombëtare do të jetë jetike për shpëtimin e një kombi nga zhbërja. Woodrow Wilson nuk e kishte menduar më parë se pikërisht ai do të jetë prishësi kryesor i planeve ogurzeza për copëtimin e trojeve shqiptare, që buronin nga Traktati i Fshehtë të Londrës, i negociuar nga italianët në vitin 1915, ndonëse territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga fuqitë e mëdha në vitin 1913.

Konferenca e Parisit, edhe pse e quajtur e Paqes, më së paku kishte të bënte me paqen, të paktën jo me paqen e popullit shqiptar, për arsye se fuqitë e mëdha që ishin mësuar të sakatonin hartat e popujve të vegjël qysh në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, synonin që një politikë të tillë hileqare ta vazhdonin edhe në Konferencën e Parisit. Mirëpo ishte presidenti Wilson ai i cili e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e kësaj Konference. Siç dihet, një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për copëtimin dhe marrjen për vete të pjesëve të Shqipërisë.

 

“Disa nga fuqitë e mëdha kishin rënë dakord fshehtas pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara që ta ndanin Shqipërinë dhe Presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste. Presidenti Wilson nuk e pranoi ndarjen e Shqipërisë falë parimit të tij të vetëvendosjes, dhe më konkretisht edhe nga kontaktet me shqiptaro-amerikanët”. ”, thotë Robert Enholm, Drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, (cituar nga VOA), ku ish-presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti.

“…unë kundërshtoj që t’ju jap edhe atë që ju është garantuar prej traktateve tuaja të fshehta. Unë refuzoj të pranoj se, meqë qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka qenë palë në këtë traktat, (Traktati i Fshehtë i Londrës – shën.im, M.B.) të ketë qenë në fakt edhe tërësisht e panjohur me ato që janë vendosur aty. Rrethanat e reja e kanë transformuar atë në një copë letër pa vlerë”, ishte kjo një deklaratë e Presidentit Wilson botuar në France Press, në prag të Konferencës së Parisit.

Emigracioni shqiptar në Amerikë, sidomos intelektualët dhe patriotët e tubuar rreth “Vatrës”, përveç luftës së pareshtur për afirmimin e çështjes shqiptare, ishte bërë edhe një burim i vlefshëm informacioni për politikanët amerikanë. Sigurisht që edhe Presidenti Wilson ka të ngjarë që të ketë qenë në kontakt të tërthortë apo të drejtpërdrejt me pjesëtarët e këtij emigracioni. Në kabinetin e tij të punës për çdo mëngjes sigurisht do t’i kenë shkuar edhe gazetat me artikujt problemorë të Fan Nolit e Faik Konicës, por edhe të Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako, të cilët në mënyrë të argumentuar mbronin interesat e kombit shqiptar në kohën kur ai rrezikohej nga copëtimi dhe denigrimi.

Por një ditë atij i erdhi edhe një letër e dërguar nga “Vatra”, përmes së cilës i shprehej faleminderim i sinqertë Presidnetit Wilson për deklaratën e botuar në France Presse

“Zotëri, A do të na lejoje ne, përfaqësuesve të një kombi të vogël, që gjithmonë i ka vlerësuar nderin, drejtësinë dhe guximin si virtytet më të larta, që t’u shprehim Juve mirënjohjen më të thellë për ndjesitë tuaja fisnike, të cilave ju i keni dhënë shprehje të tilla kaq të fuqishme? Në to ne shohim shpalljen e lirisë, njësoj si raca e zezë e vendit Tuaj i sheh të vetat në Shpalljen e paraardhësit Tuaj të nderuar, Abraham Linkolnit. Deklarata juaj, e botuar këtë mëngjes, zhduk edhe gjurmën e fundit të asaj frike. Tani ne e dimë se çështja jonë humb vetëm nëse humbet çështja juaj, sepse të dyja janë një, dhe ajo do të ndodhë vetëm nëse vetë Zoti dështon, që do të thotë, kurrë pasi Kështu Shqipëria do të bëhej edhe një herë mish për top, siç është bërë kaq shpesh në të kaluarën”.

Se kujdesi i Presidnetit Wilson nuk ishte vetëm kurtoazi, e dëshmon edhe përgjigja që nuk ua vonoi (vetëm një ditë pas letrës së vatranëve) përfaqësuesve të Vatrës.
Në përgjigje e tij Presidenti Wilson shkruante:
“Të dashur zotërinj,e kam vështirë që në mes të një ditë kaq të ngarkuar me punë t’ju tregoj si duhet se sa shumë jam gëzuar kur mora letrën tuaj të datës njëzet e katër prill dhe se sa thellësisht i interesuar jam unë të shoh parimet e paqes së vërtetë të zbatuara me besnikërinë më të madhe.
Me nxitimin më të pashmangshëm,
Sinqerisht i Juaji Woodrow Wilson (25 Prill 1919)”

Historia e popullit shqiptar ka rëniet dhe ngritjet e saj, ashtu siç ishte edhe fati shqiptarëve që në të shumtën e rasteve varej nga aspiratat grabitqare të fqinjëve dhe politikave joparimore të disa kancelarive evropiane. Pori shin patriotët shqiptarë ata që luftuan pa e kursyer veten që këto aspirata të dështojnë, kurse ideologët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishte Hasan Prishtina, me udhëtimet dhe shkrimet në shtypin Perëndimor, ndikuan që miqtë e shqiptarëve, në mesin e tyre edhe Presidenti lavdishëm Amerikan, Woodrow Wilson , ta kenë më lehtë betejën e tyre diplomatike në mbrojtjen e kauzës shqiptare në forumet ndërkombëtare.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Presidentin Wilson!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pikënisje për Lojërat Olimpike të vitit 2020 e konsiderojnë suksesin…