Në Pejë vihet gurthemeli i Qendrës nacionale të xhudos
Pas shumë vitesh pritje, sot në Pejë është hedhur gurthemeli i Qendrës nacionale të xhudos.
Në ceremoninë e organizuar në lagjen “Asllan Çeshme”, të pranishëm ishin ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, zyrtarë të Federatës së Xhudos së Kosovës dhe xhudistë të shumtë.
Qendra do të ndërtohet nga Federata e Xhudos e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare.
“Për mua është privilegj dhe kënaqësi të jem pjesë e kësaj ngjarje, e ndërtimit të kësaj qendre nacionale të xhudos, duke e ditur që këtu do të ushtrojnë kampionët e tashëm, por edhe kampionët e ardhshëm të xhudos kosovare. Uroj që punët të na ecin mbarë me shpresë që vitin e ardhshëm, tash një vit ekipi ynë olimpik, nisjen ta bëjë nga kjo qendër e përfunduar”, deklaroi kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, përcjell KP-ja.
Ministrja Dumoshi e quajti këtë një ditë të madhe për sportin, ndërkohë kreu i KOK-ut, Hasani, tha se xhudistët do të kenë infrastrukturën e nevojshme për stërvitje.
Tash e sa kohë, Peja është kryeqendër e xhudos, por i ka munguar infrastruktura. Një qendër shumë më e madhe ishte premtuar edhe nga MKRS-ja.
Nga klubi “Ippon” i trajnerit Driton Kuka kanë dalë kampionë olimpik, botëror e evropian.