Në përkujtim të nënëlokes së UÇK-së
Nga: Hysen Dreshaj – Besniku
Personazh i esse-ut tim, është Nole Osmanaj, nga fshati Kaliçan i Istogut, e njohur si “Gjyshja” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo kishte një emër, si të gjitha nënat, gjyshet e tjera, por, që të gjithë Nole Osmanaj e thërrisnim “Gjyshe”, madje jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas saj. Gjyshe, e thërriste i nipi, i cili jetonte vetëm me të, dhe gjyshe e thërrisnim edhe ne, ushtarët, që nga fillimi kur u njohëm me të.
Që nga fundi i vitit 1998, shtëpia e bacës Sokol, ishte bërë njëra ndër bazat më kryesore në rajonin e Potgurit. I biri i tij, Eshrefi ishte bërë krah i fortë i UÇK-së, ndërsa nëna e Sokolit, Nolja priste dhe përcillte çlirimtarët sikur të ishin bijtë dhe bijat e saj.
Familjen e tyre e kishte ndarë kurbeti dhe gjyshja Nole, e cila jetonte vetëm me të nipin Eshrefin, mallin që kishte për familjen e shuante me çlirimtarët, të cilët tanimë ishin bërë si një familje për të.
Gjyshja mbi supe mbante mbi shtatëdhjetë pranvera, dhe ndjehej e fortë dhe krenare, që edhe ajo, mund të kontribuonte diçka për vendin e vet. Ajo bënte shumë: gatuante bukë për çlirimtarët, priste dhe përcillte ushtarë, u lante rrobat!
Gjyshe Nolja tërë natën nuk flinte. Mjaftonte një trokitje e lehtë, shenjë, dhe dera e pasme e oborrit hapej. Brenda, na priste dhoma e ngrohtë dhe bujaria e Gjyshe Noles. Pastaj, nuk vononte shumë, dhe na kthente bukë. Ishte një malësore e vërtetë.
– “Hani bijtë e nënës, se jeni lodhur”, na thoshte me ëmbëlsi gjyshja nole.
– “Mos u mundo, oj gjyshe”, i thoshim ne, sepse ndonjëherë ngushtoheshim për shkak të moshës së saj. E ajo na bënte të ndjehemi të lirë, duke na uruar: – “ju pastë, gjyshja, ju pastë, me ju po ndihem më e fortë”.
Ajo kishte një zemër të madhe dhe ndihej shumë krenare me nipin e saj, Eshrefin, që i ishte bashkuar Ushtrisë çlirimtarëve, por edhe me bashkëluftëtarët e tij, që tanimë ishin bërë pothuajse si pjesë e familjes së saj.
Na përcillte të gjithëve njëjtë, sikurse edhe nipin e saj, me fjalët: “ju ruajt Zoti” dhe na priste me fjalët: “mirëserdhët bijtë e nënës” dhe i kthehej buzëqeshja kur na shihte që jemi të gjithë.
“Takohemi te, gjyshja”, ishte pika e kontaktit, e cila guxonte të jepej edhe përmes radiolidhjes, ngase vetëm pjesëtarë të UÇK-së e dinin kush është Gjyshja.
Aty takoheshin pjesëtarë të shumtë, qoftë: nga Potguri, Rugova, Lugu i Drinit, Istogu, etj., ndërsa, Gjyshja, lante rroba dhe gatuante bukë për të gjithë ne, edhe pse e shtyrë në moshë.
Ajo shpeshherë, gjente kohë, dhe ulej me ne, dhe me fjalët e saj, na trimëronte e na burrëronte, pasi që shumica ishim të rinj, por edhe dëshira e saj, ishte të dëgjonte ngjarje për luftën; kurse sukseset e djemve dhe vashave të UÇK-së, ia shtonin gëzimin dhe krenarinë. Por, shpesh tregonte edhe për ngjarje, për tmerret dhe për vuajtjet, që okupatori serb u kishte shkaktuar familjarëve dhe të afërmeve të saj.
Gjyshja Nole, ishte një atdhetare e vërtetë, dhe gjithmonë u besonte djemve të Ushtrisë Çlirimtare që do t’i sjellin Lirinë-Kosovës. Madje, edhe ajo, me kontributin e vet, ishte bërë pjesë e luftës, i dukej sikur po i shëron plagët dhe vuajtjet e së kaluarës.
Më, 8 prill 1999, gjatë luftimeve në fshatin Jabllanicë, u plagosen numër i madh i ushtarëve të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe dëshmori Elez Berisha dhe nipi i saj, Eshrefi. Gjyshja Nole e përjetoi rëndë dhe i vizitoi të gjithë në Spitalin Ushtarak të improvizuar në Kaliçan. Të fundit e vizitoi nipin e vet Eshrefin.
Të nesërmen nga plagët e rënda, Elez Berisha ndërroi jetë. Në varrimin e tij, prezenca e familjes ishte e pamundur për shkak të luftimeve, mirëpo tani ai kishte një familje të madhe; kishte shumë vëllezër dhe motra-bashkëluftëtarë të cilët e përcjellën me nderime ushtarake.
E fundit që ia ledhatoi flokët dhe e puthi në ballë, në vende të nënës, ishte Gjyshja Nole.
Ajo ishte e ndjeshme dhe i përjetonte rënd rëniet e luftëtarëve në fushëbeteja, e sidomos rëniet e atyre që i kishte njohur për së afërmi, si: Elez Berisha, Selman Lajçi, Hajrush Elezi, Ismet Bicaj, etj. Madje edhe pas luftës, deri në fundin e jetës së saj, ajo jetoi me kujtimin për ta.
Gjyshja Nole, deri në fundin e jetës së saj, jetoi e nderuar dhe e respektuar, jo vetëm nga ata, që i priti e i përcjelli si bijtë e vet, por edhe nga të tjerët. Gjyshja e UÇK-së, më 1 maj 2018, u nda nga kjo botë vetëm fizikisht, sepse ajo me veprën e vet atdhetare dhe me kontributin e dhënë për çlirimin e Atdheut i krijoi vetës pavdekësinë.
Ajo ishte një atdhetare e vërtetë, ishte një zonjë e vërtetë, ishte një trimëreshë dhe burrneshë e rrallë. Këtë e shprehën edhe bijtë dhe bijat e saj, gjatë përcjelljes së fundit për në amshim. Gjyshe Nole dhe Nënat e UÇK-së, do të kujtohen me pietet gjatë historisë.
Në fund, le të jetë ky shkrim një mesazh, për shkrimin e biografive edhe të Nënave dhe Nënëlokeve të tilla, pasi Kosova ka nëna të tilla shumë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Gjyshen e UÇK-së, Nole Osmanaj.