Në përkujtim të njeriut të popullit, Adem Mikullovcit!

09 tetor 2020 | 14:16

Shkruan: Ganimete Podvorica

Dikur në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, hyrja A 4/5, në katin e tretë, dritat s’do të fikeshin kurrë. Puna nuk do të pyeste as ditën e as natën.  Disonanca mes tingujsh të qetë të pasmesnatës dhe tingujve të makinës së shkrimit, e bënte lagjen e gjallë.

Aty banonte Adem Mikullovci, një artist, humorist e intelektual. Shtatshkurtër e thatanik, sy të kaltër, flokë që në dritën e diellit merrnin  ngjyrë ari, me të qeshur të veçantë, me shpirtin e mbushur mirësi, me edukatën  e mirëfilltë të qytetarit fisnik e të urtë, me ecje prej mendimtari  hije rëndë, me syze varur në mes të hundës, me supe të kërrusura nga puna, me kokën anuar kah krahu i tij i djathtë…

Artisti profesionist që vuri themelet e teatrit profesionist. Mjeshtëri i vetëqenies e përsosjes së personazhit popullor që transkriptoi gjuhën e njësuar në gjuhën gojore të popullit. E çfarë nuk gjejmë në punën e tij?!.  Të dhëna historike e gojore të popullit të bartura në skenë.

Peizazhe të gjalla të vendit tonë, të më së paku pesë dekadave të fundit, pa e zbukuruar as personazhin e as rrethanën. Me talentin e tij të shndritshëm nxori në dritë figurën e mirë-skalitur të shqiptarit, me plisin e bardhë në kokë- figurë  e papërsëritshme  dhe e përjetshme në altarin skenik të dramës e filmit. Me shpoti therëse, vinte në pah zakonet dhe mendësinë e prapambetur të njeriut tonë të asaj kohe, e që duhej ndryshuar. Në skenarët e rolet e tij filmike e dramaturgjike, ripërtëriheshin traditat, rinjihej e tashmja me të shkuarën, dhe frymonin veprime për t’u parambrojtur nga shkarjet kombëtare të kohës.

Një jetë e kaluar nën kompaktësinë e idealit artistik. Adem Mikullovci ishte regjisor i shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjes”, “Mosha e bardhë”, “Dan Shejtani”, “Engjëlli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”, “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, “Përgjuesi” etj. Videoproduksionet e tij më të njohura janë: “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Kur do të kthehet Remziu”, Katundarë e sheherli”, “Vjeshtë e zymtë e profesor Nexhatit”, “Mahalla jonë”, Qëndresa”, “Sadri Llapjani” , “Të gjithë me ne”, “Mësuesi”, “Një pallto për babain tim në burg”, “Një buqetë buzëqeshje”etj.

Ndërsa, në produksione televizive ka luajtur role në filma televiziv, seri humoristike, e komedi: “Ditari i Lec Pazhecit”, “Qesh e ngjesh”, “Oda e Junikut”,  “Kafeneja jonë”, “Burleska”, “Çka ka shpija” e të tjera. Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj.

Mbi të gjitha, pjesëmarrja e tij si aktor i shkëlqyer kurorëzohet qysh në fillim të karrierës së tij artistike me rolet e tij në filmat :”Proka”, “Kur pranvera vonohet”, Era dhe Lisi”, Sulmi i kuq”, “Kur kam qenë ushtar”, “Vakti e ha kashtën” etj.  Po, a ishte vetëm kaq kjo figurë  e dalluar e jetës teatrore e popullore?!. Artisti i mendimit zotërues e sinkronizimit të plotë të ideve e veprimeve të tij, që besonte fuqishëm se artisti duhet t’i paraprijë popullit dhe se nuk ka sistem të pandreqshëm.

A nuk ishte Adem Mikullovci kambanë kushtrimi? Njeriu i viteve të ‘80-ta e ‘90-ta me pankarta të lirisë nëpër duar. Nënshkruesi i Deklaratës së Kushtetutës së Kosovës së 2 korrikut 1990.

Artisti i bindjes,  se më mirë të vdesësh në këmbë, sesa të rrosh i  gjunjëzuar. I përvuajturi i burgjeve serbe, e i burgosuri politikë që ajër e kishte vetëm lirinë, mirëqenien, sigurinë, edukimin, arsimimin, drejtësinë, përparimin e integrimin e shqiptarëve-popullit të tij.  Fishkëllimat e sirenave të  vdekjes nuk e trembën kurrë. Pafund herë u ngrit nga shtrati i vdekjes dhe e grushtoj të keqen e të padrejtën  më  fortë se kurrë. Porositë e tij para platosë së Kuvendit të Kosovës e më pas edhe në foltoren e Kuvendit gjatë e pas 2017-së, nuk rridhnin nga zëri i partisë që përfaqësonte, por nga dhembja e thellë e brendshme e dëshpërimit të një të riu e plaku që kishte jetuar mes popullit e për popullin, e që nuk mund të shihte se si po gangrenosej mëvetësia e vendit të vet – Kosovës që aq shumë e donte. Dhe, kështu rrugëtimi i  artistit e kuvendari arrin cakun..

Sot, profili kombëtar i teatrit dhe Kuvendit të Kosovës mbeti gjysmak, pa figurën e regjur të artistit e kuvendarit të popullit, i cili të vetmen shtëpi që e kishte e merrte kudo e në çdo kohë  pas vete ishte teatri. Andaj, prehu në paqe Adem Mikullovci se teatrin e more me vete! Mos u mërzit, popull!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qytetarët e Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë…