Në përkujtim të profesorit Idriz Baranit
Profesor Idriz Barani ishte profesor e pedagog i shkëlqyeshëm, shembull i njeriut të sinqertë e të ndershëm, besnik e i fjalës, i drejtpërdrejtë, i butë, i afërt e i dashur për mikun e njeriun e mirë, mbrojtës i të vërtetës, i ashpër ndaj të padrejtës.
Personalitet me vlera të larta e të veçanta intelektuale, kombëtare, patriotike, shumë të vlefshme për kohën e vlefshme e të veçantë në të cilën jetoi.
Profesor Idriz Barani ishte veprimtar i veçantë i çështjes kombëtare në kohën kur roli i intelektualëve të Kosovës ishte dominues dhe përcaktues i lirisë së shtrenjtë që ne e gëzojmë sot. Ai shumë mirë ka ditur t’i vlerësojë njerëzit e kauzës kombëtare. Unë personalisht kam pasur fatin ta kem profesor dhe mik shpirti, dhe për çdo veprimtari e ide veprimesh e kam pasur derën e hapur për konsultime dhe derte kombëtare. Takoheshim pothuajse çdo ditë, ishim në një ndërtesë, dhe pa kursyer e pazgjedhur kohën kërkonim rrugë, ide e forma vepruese për çlirimin e Kosovës. Ishim bashkë anëtarë të Shoqatës së Pavarur të Intelektualëve të Kosovës, ku kryetar ishte shumë i vlefshmi prof. dr. Eshref Ademi. Me profesor Idrizin ishim edhe anëtarë të Kryesisë së LDK-së, Dega e III Velani, gjithashtu ishim në shumë veprimtari e aktivitete të tjera kombëtare.
Profesor Idriz Barani më mungon shumë sepse ishte njeri i veçantë.
Familjes së profesor Idrizit me fat 28 Nëntori, festa më e vlefshme e kombit shqiptar! Me këtë rast të festës tonë të madhe le t’i kujtojmë pa kursyer e përgjithmonë dëshmorët dhe veprimtarët e kombit si dhe të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar.
(Autori është profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe i Sportit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”).