
Në përkujtim të Remzi Lushit, heroit, atdhetarit dhe luftëtarit të çështjes kombëtare në Kosovë
Sot, më 20 prill, bëhen 8 vite që kur nga kjo jetë është ndarë vëllai ynë i dashur, Remzi Ali Lushi – një emër i paharrueshëm i rezistencës shqiptare, veprimtar i palëkundur i çështjes kombëtare dhe ish-i burgosur politik i pranverës së vitit 1981.
Remziu lindi më 15 shkurt 1961, në një familje me tradita të thella patriotike – Familja Lushi nga Toplica, e njohur brez pas brezi për qëndresën kundër pushtuesve serbë dhe kontributin në mbrojtje të tokave dardane. Fryma atdhetare dhe ndjenja e përgjegjësisë për çështjen kombëtare i ishin rrënjosur që në fëmijëri.
Qysh në moshë të re, Remziu u dallua për pjekurinë dhe përkushtimin ndaj Atdheut. Si student, ishte ndër të parët që mori pjesë në organizimin e demonstratave historike të 11 marsit 1981, që nisën në mensën e studentëve në Prishtinë. Ai ishte në ballë të lëvizjes dhe drejtues i shumë protestave në Prishtinë, Ferizaj e Lipjan, deri në momentin e arrestimit dhe burgosjes së tij nga regjimi jugosllav.
Foto: Remzi Ali Lushi
Remziu nuk e zgjodhi rrugën e lehtë – ai e zgjodhi rrugën e dinjitetit, të sakrificës dhe të lirisë. Me qëndresën e tij, ai u bë simbol i guximit dhe i dashurisë për tokën dhe kombin.
Sot, kujtimi për Remziun mbetet i gjallë në ndërgjegjen tonë familjare dhe në historinë e popullit shqiptar. Vepra e tij është një udhërrëfyes për brezat që vijnë, një dëshmi e qartë se liria nuk fitohet pa njerëz si ai.
Lavdi jetës dhe veprës së Remzi Lushit!
Prehu në paqe në dheun e Kosovës martire!
Me dashuri dhe mall,
Vëllai yt – Fidaim Lushi
Heidelberg, 20.04.2025