Në përkujtim të Tahir e Nebih Mehës
Shkruan: Jakup Krasniqi
Viti 1981 në Kosovë shënoi një ndër kryengritjet më të fuqishme në kampin socialist dhe në kontinentin e Evropës së asaj kohe. Ishte e pritshme dhe krejt normale që këto demonstrata masive të ndodhnin pikërisht në Kosovën e aneksuar dhunshëm gjashtëdhjetë e tetë vjet më parë, në Kosovën e tradhtuar nga komunistët jugosllavë, të cilët ia mohuan të drejtën e premtuar për vetëvendosje, në Kosovën e diskriminuar, të shtypur e të shfrytëzuar, në Kosovën e shqiptarëve qiraxhi në tokën e vet.
Për më tepër, këto ngjarje historike do të shpërthenin edhe për faktin që Lëvizja e re Kombëtare, në një periudhë prej dhjetë vjetësh rresht po përgatiste popullin e Kosovës për kryengritje kundër pushtimit dhe robërisë, kundër padrejtësive dhe pabarazisë, kundër mjerimit dhe shtypjes kombëtare.
Më 1981 historia shënoi zgjimin e madh shqiptar në Kosovë e në Jugosllavi. Ky zgjim kombëtar, kjo revoltë e artikuluar dhe e organizuar në nivel të lartë, u bë pengesa e pakapërcyeshme e shovinistëve serbë për të realizuar planet e tyre të vjetra e të reja antishqiptare, u bë zëri i Kosovës, i ngritur lart në të katër anët e botës, për ta bërë të njohur çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe për të siguruar përkrahjen e gjerë ndërkombëtare.
Historia i kërkoi edhe një herë, më 1981, Kosovës gjakun e bijave dhe bijve më të mirë të saj dhe gjaku u derdh si gurra, në fshatra e në qytete, në rrugë e në sheshe, në kulla e në burgje, kudo ku e kërkonte zëri i Atdheut. Në demonstrata e Pranverës Shqiptare, në altarin e lirisë ranë dëshmorë: Naser Hajrizi e Asllan Pireva, Xhelal Maliqi e Salih Abazi, Salih Mulaku e Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi e Sherif Frangu, kurse i riu, Nesim Dervishdana u vra në Gjakovë fill pas demonstratave nga oficerë të Ushtrisë Jugosllave. Patriotët si: Ibrahim Krasniqi e Afrim Abazi, u mbytën në tortura në burgjet jugosllave .Prekazi legjendar, si gjithmonë në historinë tonë të lavdishme, ka qenë një vatër e rezistencës kundër pushtimit, ka qenë djepi i heronjve të Kosovës. Ahmet Delia, ky tribun popullor i Drenicës dhe i Kosovës, kurrë nuk ia ndali pushkën Serbisë pushtuese dhe kur ajo i mungonte, rrëmbente sëpatën për t’u therorizuar në mbrojtje të popullit të tij, por edhe për të fituar mbi armikun.
Nën shembullin e Ahmet Delisë dhe të gjyshit kryengritës, Emin Lati, Tahir Meha vendosi të rezistonte me armë, bashkë me babanë, Nebihun, kundër hordhive serbe e jugosllave, të cilat në një ekspeditë vrasëse ishin nisur në Prekaz, për ta terrorizuar një familje dhe për ta përdhosur krenarinë e dinjitetin shqiptar e drenicar.
Kjo vepër trimërore u bë burim frymëzime për breza siç u bë burim frymëzimi për Shaban Jasharin dhe të bijtë Hamzën dhe Ademin, të cilët u betuan të varret e trimave për vazhdimin e luftës për liri, për çlirim e bashkim kombëtar.
Një përleshje e pabarabartë midis dy trimave epikë dhe qindra forcave, të pajisura me artileri të rëndë, me helikopterë e avionë, zgjati tërë ditën, e 13 majit 1981, për të pushuar pas rënies heroike të babë Nebihut dhe të birit, Tahirit, por edhe pas humbjeve të mëdha që iu shkaktuan forcave kriminale rrethuese. Kjo ngjarje pati jehonë në Jugosllavi dhe në botë. Serbisë pushtuese po i shkonte mesazhi më i qartë për vendosmërinë e shqiptarëve, jo vetëm për ta kundërshtuar pushtimin, por edhe për të luftuar kundër tij dhe për të vdekur në altarin e lirisë.
Viti 1981 u tregoi shqiptarëve rrugën e vetme që duhej ndjekur për të qenë të lirë e të pavarur, për të qenë zot të fatit të vet. Viti 1981, përbën kthesën e madhe historike drejt çlirimit të Kosovës, përbën preludin e ndërkombëtarizimit të çështjes sonë dhe të kryengritjes së armatosur të popullit shqiptar për realizimin e aspiratave shekullore, për liri, pavarësi dhe demokraci.
U deshtë të lindë Ushtria Çlirimtare e Kosovës e komandanti i saj nam madh, Adem Legjendari, u deshtë heroizmi masiv i shqiptarëve në luftën titanike kundër pushtuesit, që Kosova përfundimisht të shporrte nga trojet e veta armikun, të shpallte pavarësinë dhe të gëzonte lirinë e merituar.
U deshën flijime të mëdha për të ardhur këtu ku jemi sot, ashtu siç duhet përpjekje e përkushtim i lartë i brezit tonë dhe i brezave që do të vijnë për të realizuar diçka nga aspirata dhe ideali i dëshmorëve të kombit.
Lavdi dëshmorëve Tahir e Nebih Mehës!
Lavdi dëshmorëve të kombit!