Në përvjetorin e 27-të të protestës së studentëve, Mavraj takohet me familjarët e Calit
Ish-kryetari i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Muhamet Mavraj, me rastin e 27-vjetorit të protestës së studentëve, ka takuar familjarët e Sali Mustafës, i njohur si komandat Cali.
Mavraj ka thënë se është befasuar me qëndrimin dinjitoz të fëmijëve të Calit.
“Calin (Sali Mustafën) nuk munda ta takoj në Hagë kur isha për jubileun 25, sepse atëherë ishte nen ndalesa. Një pjesë e pengut mu hoq sot duke takuar familjarët e tij për këtë 1 tetor. Siç kam treguar me moti, Cali nga çatia e shtëpisë së tij i vëzhgonte satrapet që vëzhgonin rreth shtëpizës ku banoja. I njihte sepse e kishin torturuar po ata. Por, ky nuk është kujdesi i tij i vetëm para dhe pas 1 tetorit 1997. Djali i Calit me befasoi me qëndrimin dinjitoz dhe pjekurinë, futbollist i ‘Prishtinës’ dhe student i mjekësisë, sikur motra Buna, studente e shkëlqyeshme e mjekësisë. Ata e dinë se libri i lirisë ka shumë fleta tjera të pambushura, tërë jetën tonë, sepse mbrojtja e lirisë nuk është më pak e vlefshme sesa fitorja e lirisë. Gjyqtarët në Hagë nuk e dënuan Calin, por vetveten. Ka gjyq mbi gjyq. E vërteta është veç një. Këtë duhet ta mbajnë në mendje të gjithë përfituesit e burgosjeve të çlirimtarëve të Kosovës”, ka shkruar Mavraj në “Facebook”.