![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/03/thaci.jpg)
Në përvjetorin e intervenimit të NATO-s, Specialja mban seancë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Artan Behrami, ish-këshilltari i ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se pikërisht në përvjetorin e intervenimit të NATO-s për parandalimin e gjenocidit, Gjykata Speciale mbanë seancën e radhës, që sipas tij, vazhdon përpjekjet për të rishkruar historinë e luftës.
“Pikërisht në përvjetorin e intervenimit të NATO-s për parandalimin e pastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë, Gjykata Speciale, sot përmes seancës të radhës statusore, vazhdon përpjekjet për të rishkruar historinë e luftës tonë çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila nga kjo gjykatë po konsiderohet si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ dhe udhëheqësit e saj që sot po mbahen në Hagë ishin në koordinim të plotë me NATO-n dhe Perëndimin 23 vjet më parë!”, ka shkruar Behrami në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Prokuroria e Gjykatës Speciale vazhdon t’i fsheh provat shfajësuese për ish-krerët e UÇK-së, vazhdon t’i rrisë dosjet me dëshmitarë, të cilët fare nuk e dinë që kanë përfunduar në listat e tyre.
“Kjo gjykatë politike duhet të krijojë parakushte për një proces fer dhe pa vonesa artificiale”, ka shkruar Behrami.