Në përvjetorin e masakrës së Dubravës, Kurti e shkarkon nga pozita e ambasadorit të mbijetuarin e kësaj masakre, Nait Hasanin
Nait Hasani është shkarkuar nga posti i ambasadorit në Shqipëri.
Për shkarkimin e tij ka pasur reagime të shumta.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Rasim Selmanaj ka shkruar një shkrim në rrjetin social “Facebook” me titull: ‘NAIT, TY NUK TË KA LIGUR SERBIA’.
“Haj me det haj, po poshtë ka ra katundi!
Më 19 maj-24 maj të vitit 1999 kishte ndodhur Masakra në Burgun e Dubravës, dhe kryeheroi i asaj ngjarje në mbrojtje të të plagosurve ishte Nait Hasani, edhe pse vetë i plagosur e me copa te granatës në trup, të cilat ende i mbane si ‘dhuratë’ e asaj masakre. Nga pushteti i sotëm një tjetër ‘dhuratë’ i vjen Naitit në këtë përvjetor!!”, ka shkruar Slemanaj.
Ai ka thënë se pushteti e paska shkarkuar ambasadorin Nait Hasani, përderisa Serbia e kishte dënuar hiç më pak se 20 vjet.
“Kryeministër, edhe ju ishit në burgjet e Serbisë në këtë kohë! Albin, qysh po ndihesh pashë besën?!! Del e fole një fjalë për Naitin, nëse ka mbetë naj trohë moral në këtë vend!
Albin, nuk jam me ty në një parti, por kjo nuk më ka penguar që ta ruaj respektin për ju dhe plote njerëz të tjerë të sakrificës”.
“Beso, nuk kam qejf me të pa kaq poshtë!
Ndërsa, ty Nait, miku im i sakrificës dhe i mbijetesës, s’të ka ligur Serbia, jo më shkarkimet e tilla, që gjasojnë me ato leçitjet e kohëve të liga…Shihemi shoq, të shtunën, në ora 11:00, në Burgun e Dubravës, në nderim të shokëve të vrarë!”, ka shkruar Rasim Selmanaj.