Në pesë ditët e ardhshme, për 10 gradë më ftohtë
Përveç ndryshimeve në fushat termike, do të ketë luhatje edhe në fushat barike, duke kushtëzuar mot me vranësira dhe intervale me diell. Kështu thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometorologjik të Kosovës (IHMK).
“Vranësirat gjatë ditës do t’i ndryshojnë stadet e tyre duke u intensifikuar dhe duke krijuar kushte për reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. Reshjet në vende të lokalizuara mund të kalojnë në formë breshnize apo dhe breshëri. Ky aktivitet në atmosferë do të mundësoj që vlerat e temperaturave maksimale të bien për 7-10 gradë Celsius, derisa minimalet parashihen të ulen për 3-4 gradë Celsius, thuhet në njoftimin nga Instituti.
Temperaturat maksimale gjatë këtyre pesë ditëve parashihen të lëvizin ndërmjet 23-30 gradë celsius, ndërsa minimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 11-18 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-12 m/s”, thuhet në njoftimit e IHMK-së.
Kurse, sa i përket kushteve biometeorologjike, ato do të jenë më të favorshme se javën që e lamë pas, por kujdesi i veçantë i kontaktit me diellin duhet kushtuar mesditave, në ato vende ku kupa e qiellit është e lirë nga retë!