Në Podujevë janë strehuar 48 persona të ardhur nga zonat e goditura nga tërmeti
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme është informuar për gjendjen e sigurisë në komunë si dhe situatën lidhur me strehimin e personave që kanë ardhur nga zonat e goditura nga tërmeti që goditi Shqipërinë.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë gjatë muajit të fundit; informatën për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë (pronat) e tyre si dhe formimin e grupit punues për Planin e Punës të KKSB për vitin 2020 dhe grupin për informatën e punës së KKSB për 2019.
Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunë e Podujevës, ka raportuar komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Zogiani, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë në përgjithësi është e mirë.
Ai si shqetësuese paraqiti rastin e rritjeve të aksidenteve në komunikacion dhe rastin e sulmit me armë nga persona të panjohur ndaj shtëpisë së një pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Komandanti i Policisë ka pohuar se që nga 26 nëntori, kur Shqipëria u godit nga tërmeti tragjik, janë duke përcjell ardhjen e personave nga zonat e goditura nga tërmeti, e që po kërkojnë strehim në komunën tonë.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, ka theksuar se aktualisht në Komunën e Podujevës janë raportuar se nga Shqipëria kanë ardhur dhe janë strehuar 11 familje me 48 anëtarë, të cilat janë vendosur nëpër shtëpi në pesë lokalitete, prej tyre dy familje janë vendosur në një hotel.
/Epoka e re/