Në Podujevë situata me pandeminë, e menaxhueshme
Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 ka mbajtur takim, në të cilin është shqyrtuar gjendja aktuale me pandeminë dhe respektimin e masave mbrojtëse.
Në takimin e Shtabit Emergjent, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, u informua nga bartësit e sektorëve lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe ka kërkuar veprime dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Bulliqi ka bërë me dije se që nga marrja e mandatit të kryetarit ka qenë vazhdimisht në kontakt me stafin udhëheqës të QKMF-së e veçmas me epidemiologen Bedrie Rama, për të përcjell situatën me pandeminë.
Ai ka thënë se janë duke u ndërmarrë masat që të zgjerohet hapësira dhe të shtohet numri i shtretërve në Qendrën për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në QKMF, ku tashmë pacientët mund të marrin edhe oksigjenoterapi.
Bulliqi ka kërkuar që të sigurohen mjete mbrojtëse për shkollat dhe gjithashtu të bëhen investime në përmirësimin e kushteve higjienike.
Lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19, epidemiologia Bedrie Rama, ka thënë se situata është e menaxhueshme, përkundër faktit se në këtë komunë vazhdon të ketë numër të madh të rasteve me Covid-19.
(Q.R / Epoka e re)