Në Podujevë u përkujtua 31-vjetori i helmimit të mijëra shqiptarëve nga regjimi serb

21 mars 2021 | 14:53

Përfaqësues të personave të helmuar nga regjimi serb në marsin e vitit 1990 dhe Komuna e Podujevës organizuan një akademi përkujtimore në 31-vjetorin e helmimeve të nxënësve, studentëve, profesorëve, punëtorëve dhe qytetarëve të Podujevës dhe Republikës së Kosovës.

Në këtë akademi të organizuar në përkujtim të kësaj ngjarje tragjike, morën pjesë persona që kishin pësuar nga helmimet, familjarë të tyre, udhëheqës komunalë, mësimdhënës, artistë dhe krijues letrarë dhe qytetarë të Podujevës.

Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, ka thënë se me dhimbje të madhe kujtojnë të gjithë ata që pësuan nga këto helmime.

“Me shpresën se një ditë kryerësit e kësaj vepre kriminale do të përgjigjen para organeve të drejtësisë dhe shteti serb të paditet për krimet e bëra mbi popullatën civile të Kosovës. Helmimet masive të nxënësve nëpër shkolla ku kryesisht mësonin shqiptarët, filluan në mars dhe vazhduan gjatë gjithë pranverës së vitit 1990. Numri i të prekurve nga helmimi toksik shkoi mbi 7000, e Komuna e Podujevës ishte prej më të prekurave me mbi 1500 të helmuar”, ka thënë nënkryetarja Lahu.

Për helmimet e vitit 1990 foli edhe dr. Shyqri Dumani si dhe dy të helmuarit e asaj kohe, profesor Idriz Gashi dhe Lutfi Ismaili, të cilët rrëfyen tmerrin e përjetuar 31 vite më parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompanitë ajrore dhe kompanitë e tjera në industrinë e udhëtimit…