Në Poloni e Suedi mbahet Kampionati Botëror
Prej të mërkurës e deri më 29 janar në Suedi dhe Poloni mbahet Kampionati Botëror për hendbollistë. Është ky kampionati i 28-të i botës në hendboll.
Danimarka ka fituar dy Botërorët e kaluar, në vitet 2019 dhe 2021. Dhe danezët janë pretendentë edhe në Botërorin 2023.
Botërori mbahet në katër qytete në Poloni dhe pesë në Suedi. Finalja zhvillohet në Stokholm.
Plot 17 ekipe kombëtare nga Evropa janë pjesë e Botërorit.
32 ekipe kombëtare janë të ndara në tetë grupe. Tre të parët në secilin grup avancojnë në raundin e dytë.
Në Grupin A janë Spanja, Mali i Zi, Kili, Irani. Grupi B përbëhet nga Franca, Polonia, Arabia Saudite dhe Sllovenia.
Suedia, Brazili, Kepi i Gjelbër dhe Uruguai janë në grupin C, ndërsa Islanda, Portugalia, Hungaria dhe Koreja e Jugut garojnë në grupin D.
Pjesë e grupit E janë Gjermania, Katari, Serbia dhe Algjeria. Norvegjia, Maqedonia e Veriut, Argjentina dhe Holanda janë në grupin F, kurse në grupin G garojnë Egjipti, Kroacia, Maroku dhe SHBA-ja. Grupin e fundit, H, e përbëjnë Danimarka, Belgjika, Bahrejni dhe Tunizia.
Të mërkurën është vetëm ndeshja hapëse. Franca e Polonia takohen nga ora 21:00 në Katowice të Polonisë.