Në Preshevë të gjithë synojnë pushtetin

30 mars 2021 | 11:55

Partia Alternativa për Ndryshim, udhëheqësi i së cilës është kryetari aktual i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka fituar bindshëm në zgjedhjet e parakohshme lokale në këtë komunë.

Sidoqoftë, duke gjykuar nga mesazhet e dërguara nga partitë shqiptare të opozitës dhënë gjatë fushatës zgjedhore, partia e Arifit ka humbur pushtetin në këtë komunë, që gjendet në jug të Serbisë.

Të pesë partitë shqiptare në opozitë, me orientime të ndryshme ideologjike janë “bashkuar” në mënyrë që të largonin nga pushteti Alternativën për Ndryshim dhe udhëheqësin e saj, Shqiprim Arifi nga pozita e kryetarit të Komunës së Preshevës, komunë kjo ku popullsia është kryesisht shqiptare.

Arifi është mbështetur vetëm nga e ashtuquajtura Lista Serbe, një koalicion i partive serbe të mbledhura rreth Partisë të Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sidoqoftë, pas zgjedhjeve të 28 marsit, pesë parti të opozitës shqiptare, që garuan bashkërisht, fituan shumicën e vendeve në Kuvendin lokal, që ka 38 ulëse.

Sipas të dhënave që “Radio Evropa e Lirë” ka marrë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, në zgjedhjet e parakohshme lokale në Preshevë, nga 18.254 votues sa kanë votuar, shumica e tyre kanë zgjedhur opsionin politik që ka qenë në pushtet deri më tani.

Alternativa për Ndryshim, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi, ka fituar 6 mijë e 20 vota dhe 14 vende në Kuvendin Komunal të Preshevës.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës ka fituar 4 mijë 173 vota apo nëntë vende, Partia për Veprim Demokratik e deputetit Shaip Kamberi 3 mijë 336 vota apo shtatë vende, Lëvizja për Reforma e udhëhequr nga Sami Salihu 2 mijë e 545 vota apo pesë ulëse, Unioni Demokratik i Shqiptarëve i Naser Aziri 441 vota dhe një mandat. Alternativa Demokratike Shqiptare nuk e ka ka kaluar pragun.

Lista Serbe ka fituar 1 mijë e 222 vota apo dy mandate.

Qytetarët mbështetën vazhdimësinë e qeverisjes

Shqiprim Arifi, udhëheqësi i Alternativës për Ndryshim dhe kryetari i deritanishëm i Preshevës, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se partia që ai drejton dhe qytetarët që mbështesin politikën e tyre, shënuan një fitore tjetër bindëse në zgjedhje.

“Alternativa për Ndryshim me 14 vende të fituara në Asamblenë Komunale të Preshevës, e cila ka 38 vende, fitoi bindshëm në zgjedhjet e së dielës, dhe qytetarët që mbështesin opsionin tonë politik, kanë shprehur një dëshirë të qartë për të ruajtur vazhdimësinë e pushtetit”,  ka thënë Arifi.

Alternativa për Ndryshim nuk e ka komentuar faktin që “blloku i partive opozitare shqiptare” ka fituar 22 ulëse dhe sipas këtij grupim politik, partia e Arifiti nuk ka gjasa që ta mbajë pushtetin në Preshevë.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë thënë se nuk është gjithmonë e mundur që të realizohen plotësisht të gjitha premtimet parazgjedhore dhe se realiteti politik i disa prej tyre “thjesht ripërcaktohet për shkak të interesave të qytetarëve”.

 

“REL”-i nuk ka marrë përgjigje nga Arifi në pyetjen se nga kush pret mbështetje, përveç mbështetjes së shprehur më parë nga dy këshilltarët komunalë nga Lista Serbe, në rrugën drejt shumicës në Kuvendin e Preshevës.

“Do ta respektojmë vullnetin e votuesve”

I pyetur se me kë do të bëjë koalicione paszgjedhore Partia Demokratike Shqiptare (PDSh), kreu i këtij subjekti, Ragmi Mustafa, ka thënë se “vendimi se me kë mund dhe duhet të formohen koalicione paszgjedhore do të vendoset nga votuesit”.

Një ditë pasi PDSh-ja ka fituar nëntë vende në zgjedhje, Mustafa është përgjigjur se ende ishte herët për të treguar se me kë do të formonte koalicion dhe shtoi se duhet pritur që të shqyrtohen të gjitha aspektet “e situatës së re”.

“Opinioni publik ishte plotësisht në favor të PDSh-së që të fitonte këto zgjedhje lokale në Preshevë. Opinioni publik ka parë shumë qartë që njerëzit ishin të vendosur ndaj PDSh-së. Sidoqoftë, pengesat e mëdha të fushatës sonë zgjedhore nga shteti i Serbisë na zbehën shanset tona për të formuar vetë një qeveri”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se “në dëshirën për të sunduar çdo metër katror të Serbisë, partia e Aleksandër Vuçiqit gjithashtu ka ushtruar presion indirekt mbi votuesit në Preshevë”.

“Të gjitha këto do të jenë tema për negociata mbi koalicionet paszgjedhore dhe kjo është arsyeja pse unë nuk mund të them më shumë në këtë moment sesa që ne do të respektojmë vullnetin elektoral të votuesve”, ka thënë Mustafa.

Duke folur për hyrjen e mundshme në koalicionin e ardhshëm qeverisës të anëtarëve të Listës Serbe, kryetari i PDSh-së është përgjigjur se ai nuk beson në një mundësi të tillë.

“Nuk besoj se ata do të jenë pjesë e qeverisë sepse ata kanë vendosur dhe u binjakëzuar me Alternativën, dhe me këtë rast i uroj suksese Alternativës dhe Listës Serbe në aktivitetet e opozitës”, ka thënë Mustafa.

Lista Serbe pa koment

Presidenti i komisionit komunal të SNS-së dhe i pari në listën e kandidatëve për asamblist “Aleksandër Vuçiq – Për të ardhmen e Preshevës”, Branko Trajkoviq nuk u është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të “REL”-it një ditë pas zgjedhjeve.

Në këtë koalicion të mbledhur rreth SNS-së lokale ishin të gjitha partitë dhe lëvizjet serbe. Në tre mandatet e mëparshme, Lista Serbe ishte pjesë e koalicionit qeverisës, të formuar nga Alternativa për Ndryshim.

Njerëz të lodhur nga ish-udhëheqësit

 

Nga Partia për Veprim Demokratik (PDD), e cila gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore kishte paralajmëruar për një fitore bindëse dhe ka garuar me Ardita Sinanin për kryetare të Preshevës, kanë thënë për “Radion Evropa e Lirë” se “PDD-ja bëri një fushatë të paharrueshme, përkundër rrethanave të vështira për shkak të pandemisë së koronavirusit”.

 

“Opsioni ynë tërheqës politik, programi ynë për Preshevën dhe veçanërisht hapja jonë në komunikimin e përditshëm me qytetarët, ka kontribuar në mbështetjen e partisë sonë dhe mua personalisht”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, Ardita Sinani.

Ajo ka theksuar se Presheva është degraduar dhe shkatërruar në dekadat e kaluara dhe se kjo komunë ka nevojë që të udhëhiqet nga një grua.

Sinani ka thënë se “njerëzit janë lodhur nga ish-udhëheqësit që vetëm bënin premtime dhe nuk bënin asgjë konkrete”.

Koalicionet dhe ambiciet për kryetar komune

Kujtim Sadriu, drejtor i Qendrës së Monitorimit dhe Kërkimit në Preshevë, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se situata politike në këtë komunë ishte “më konfuze” pas zgjedhjeve sesa para se Qeveria serbe të vendoste masa shtrënguese për shkak të krizës në qeverisjen lokale.

Ai ka thënë se problemi i opozitës është se ata “nuk u bashkuan për të punuar në interes të qytetarëve, por për shkak të interesave personale të udhëheqësve të tyre”.

Sadriu ka theksuar se ai beson se ndarja parazgjedhore e partive politike shqiptare “nuk është më e vlefshme” dhe se, përkundër pretendimeve të opozitës se nuk do të bëjnë koalicion me Alternativën për Ndryshim, kryetari aktual, Arifi nuk duhet të përjashtohet në asnjë kombinim.

Ai ka thënë se situata tani do të jetë shumë interesante marrë parasysh ambiciet e të gjithë udhëheqësve të partive për t’u bërë kryetar.

Një krizë e gjatë politike

Kuvendi i Komunës së Preshevës është shpërndarë me vendim të Qeverisë së Serbisë në dhjetor të vitit 2020 pasi nuk ka mbajtur asnjë seancë për tre muaj me radhë.

Kriza politike u shkaktua nga Lëvizja për Reforma, asamblistët e të cilës ishin larguar nga Kuvendi Komunal, duke bllokuar punën e këtij institucioni. Qeveria qendrore pati vendosur masa të përkohshme në Preshevë dhe kishte caktuar ish-kreun e komunës, Shqiprim Arifin në postin e kryetarit të Autoritetit të Përkohshëm.

Para kësaj, për shkak të prishjes së koalicionit qeverisës dhe ndërprerjes së punës për më shumë se tre muaj, Kuvendi i Preshevës është shpërndarë në shtator 2017.

Edhe atëherë, qeveria kishte formuar një Autoritet të Përkohshëm, presidentin e të cilit e pati emëruar Shqiprim Arifin, drejtuesin e Alternativës për Ndryshim, i cili ishte në opozitë deri në shpërndarjen e Kuvendit Komunal.

Zgjedhjet e mbajtura më 28 mars ishin të tretat me radhë dhe zgjedhjet e dyta të jashtëzakonshme në katër vjetët e fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon nenin e…