Në Prishtinë fillon festivali ndërkombëtar i valleve folklorike për fëmijë, “Ylberi i Prishtinës”
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ka filluar festivali ndërkombëtar tradicional i valleve folklorike për fëmijë, “Ylberi i Prishtinës”, i cili është organizuar nën patronatin e kryetarit, Përparim Rama, i cili mbahet në sheshin “Skënderbeu” dhe do të zgjasë dy ditë, 28 e 29 Qershor.
Në edicionin e këtij viti i cili është i 21-ti me radhë, marrin pjesë 400 valltarë entuziastë nga Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Ukraina, Rumania, Bullgaria e Kirgistani.
Në ngjarjen e sotme të festivalit ishte i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se “Jemi të lumtur që po shohim kaq shumë fëmijë të gëzuar të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës e po na zbukurojnë sheshet”.
Ndërsa drejtoresha e Kulturës, Arta Balaj, falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen në këtë festival.
“Kryeqyteti sot shndërrohet në ditë feste dhe ngjyrash duke prezantuar trashëgiminë e pasur evropiane, të larmishme dhe unike e kulturore e cila përfaqësohet nga këta pjesëmarrës të vegjël përmes muzikës, vallëzimit dhe veshjeve tradicionale”, deklaroi Balaj.
Festivali do të vazhdojë edhe nesër ku do të shpallen fituesit e kësaj gare.