Në Prishtinë pritet spektakël i jashtëzakonshëm për Prishtina FIBA 3×3
Në Prishtinë do të mbahet një ngjarje e jashtëzakonshme në 3×3. Për herë të parë do të mbahet 3×3 Challenger, që do të organizohet nga 3×3 Prishtina, në mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), Komuna e Prishtinës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Drejtor i Eventit, Fisnik Juniku, ka dhënë detaje në lidhje me këtë ngjarje. “Ky event i madh do të mbahet më 16-17 Korrik në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga ora 16:00 deri në ora 24:00. Për dy ditë me radhë do të jetë një spektakël i madh i 3×3. Në këtë Challenger do të marrin pjesë 12 ekipe të huaja dhe katër ekipe nga Kosova, përmes Wild Card të ndryshëm”, është shprehur Juniku për faqen zyrtare të FBK-së, duke shtuar: “Vendi i parë, i dytë dhe i tretë së bashku do të fitojnë deri në 40 mijë euro. Po ashtu finalistët kualifikohen për në Debreçen të Hungarisë, në Masters, në eventin më të madh që mbahet. Kjo është hera e parë që në rajon mbahet një Challenger. Nuk mbahet as në Mal të Zi, Maqedoninë Veriore apo Shqipëri. Është arritje për 3×3 Prishtina, që për vitin e pestë të themelimit po arrin të mbajë një garë të tillë në kryeqytetin e Kosovës. Dua të falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federatën e Basketbollit të Kosovës, Komunën e Prishtinës, Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjithëve për përkrahje. Për më tepër në maj do të mbajmë një konferencë për detajet e ardhshme”, theksoi Juniku.
Ndërkohë, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ishte e lumtur që do të përkrahin një ngjarje të tillë. “Federata e Basketbollit e Kosovës është e gatshme që do të mbështet një ngjarje të tillë. FBK e ka edhe në Planin Strategjik zhvillimin e basketbollit 3×3. Ne jemi shumë të lumtur që Kosova është nikoqire e një ngjarje të tillë, ku do të marrin pjesë ekipe nga Evropa. Besoj se do të jetë një spektakël për adhuruesit e 3×3”, ka thënë Dushku për faqen zyrtare të FBK-së.