Në Prishtinë sot nis procesi i deratizimit vjeshtor
Nga sot e për të vazhduar për dy javë rresht do të bëhet procesi i eliminimit të brejtësve ose deratizimi vjeshtor i rrjetit të kanalizimit, bodrumeve e garazhave publike në lagjet e Prishtinës. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ai ka shkruar se me këtë proces synojnë ruajtjen e shëndetit publik përmes zvogëlimit dhe mbajtjes nën kontroll të numrit të brejtësve në rrjetin e kanalizimit e që ata mund të paraqesin kërcënim për shëndetin e qytetarëve.
“Tё hënën, më 19 tetor, fillon procesi i deratizimit vjeshtor (eleminimit të brejtësve) i rrjetit të kanalizimit, bodrumeve dhe garazheve publike nëpër lagjet e Prishtinës. Ky proces ka për qëllim ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm të qytetarëve përmes zvogëlimit dhe mbajtjes nën kontroll të numrit të brejtësve që qarkullojnë nëpër rrjetin e kanalizimit e që mund të paraqesin kërcënim për shëndetin publik të qytetarëve”, ka shkruar Ahmeti në ‘Facebook’.
Ahmeti ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve. “Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është shumë i rëndësishëm, andaj, ju lusim pёr bashkёpunim në mënyrë që tё realizohet me sukses. Kërkojmë qё t’i hapni dyert e podrumeve dhe garazhave në mënyrë që të sigurohet qasje e lehtë në këto hapësira, derisa monitorimi i këtij procesi do të jetë i vazhdueshëm nga ana jonё. Ju falemnderit paraprakisht!”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.