Në Prishtinë u mbajt takimi i drejtorëve të doganave të rajonit, u diskutua për lehtësimin e tregtisë
Të martën në Prishtinë për herë të parë është mbajtur takimi i drejtorëve të përgjithshëm të doganave të vendeve të Ballkanit me përkrahjen e doganës britanike.
Në këtë takim morën pjesë ministri i Financave, Bedri Hamza, ambasadori britanik Ruairi O’Connell, drejtorët e përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Doganës së Shqipërisë, Doganës së Maqedonisë së Veriut dhe Doganës së Malit të Zi.
“Më lejoni fillimisht ta falënderoj Qeverinë e Britanisë së Madhe për përkrahjen e këtyre takimeve rajonale të drejtuesve të doganave, të cilat takime janë me rëndësi të madhe për vendet tona në zhvillimin dhe ndërtimin e kapaciteteve doganore, të bashkëpunimit rajonal, të shkëmbimit të informacioneve dhe praktikave të mira në fushën e doganave, që kanë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendeve tona rajonale. Dëshiroj t’i falënderoj edhe organizatat e tjera ndërkombëtare për përpjekjet e tyre të vazhdueshme në rajon për të ndihmuar nga programet e tyre, aktivitetet që lidhen me konceptin rajonal të bashkëpunimit”, ka thënë ministri Hamza.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës dhe Ministra e Financave do të jenë në përkrahje të këtyre iniciative në fushën e doganave dhe bashkëpunimit rajonal, me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të çdo iniciative që shkon në drejtim të lehtësirave tregtare dhe qarkulluese të mallrave, luftimin e kontrabandës dhe krimeve ndërkufitare.
“Do ta mbështes çdo vendim apo projekt në fushën e doganave, me qëllim të lehtësimit të të bërit biznes dhe krijimit të kushteve më të mira për investitorët e jashtëm dhe për një zhvillimin ekonomik”, ka thënë Hamza.
Kurse drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka thënë se doganat në rajonin tonë kanë një mision të gjerë, duke filluar nga fusha e të hyrave, lehtësimi i tregtisë, luftimi i krimeve ndërkufitare, ekonomia joformale dhe mbrojtja e shoqërisë nga mallrat e ndaluara.
“Duke qenë se doganat kanë një mision të gjerë dhe vlerësohen si një nga institucionet me më rëndësi për vendet tona, ne vlerësojmë se qeveritë e vendeve tona, komuniteti i bizneseve, por edhe qytetarët e vendeve tona, do të vazhdojnë të kenë pritje të mëdha nga doganat për lehtësimin e tregtisë, lëvizjes së njerëzve, mallrave, por edhe për luftimin e kontrabandës dhe krimeve transkufitare”, ka thënë Berisha.
/Epoka e re/