Në pritje të diasporës për ringjallje ekonomike

05 qershor 2021 | 09:59

Besa Ismaili nga Fusha Kosova, është në pritje të stabilizimit të situatës pas pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, në mënyrë që të blejë një veturë më të re për familjen e saj. Besa, veturën thotë se do ta blejë më paratë e kursyera gjatë kohës se pandemisë.

“Situata ka qenë e paqartë, ne si familje shumë pak kemi dalë për shëtitje, kemi kursyer në maksimum, pasi nuk kishim informata se çfarë mund të ndodhë. Vitin e kaluar, kam pasur plan të shkoj për vizitë te vëllai, që jeton dhe punon në Gjermani. Edhe këtë vizitë e kemi anuluar. Në këtë mënyrë kemi kursyer para dhe tashmë besoj se mund të blej një veturë të re”, tha për Radion Evropa e Lirë, Besa Ismaili.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë parashikuar një rritje ekonomike në shumë vende të botës, pas rënies së rasteve me COVID-19 si dhe pas rritjes së numrin të të vaksinuarve. Sipas këtyre dy organizatave financiare, kjo kryesisht do të vjen kur njerëzit që kanë kursyer gjatë pandemisë, pritet të bëjnë shpenzime më të mëdha.

Përveç Besës, edhe pronari i një biznesi në Prishtinë, thotë se është i gëzuar me fillimin e vaksinimit të qytetarëve në Kosovë, kundër COVID-19, pasi sipas tij, imunizimi i masës do të ringjallë biznesin e tij. Blerim Shkodra, pronar i një agjencie për marrjen e veturave me qira, e quajtur InterRent dhe e cila ka në dispozicion 180 vetura për klientë, shprehet se gjatë vitit 2020, ka pasur qarkullim financiar shumë të vogël. Ai shpreson se gjatë këtij viti do rritet aktiviteti biznesor, pasi ai pret ardhjen e diasporës.

“Para pandemisë kemi dhënë 20 vetura brenda ditës me qira, në kohën e pandemisë, asnjë. Kjo pasi 99 për qind e biznesit tonë është i varur nga diaspora. Bazuar në lëvizjet që janë shumë pozitive, sa i përket numrit të rasteve të të infektuarve dhe vaksinimit të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian, ku është e përqendruar mërgata jonë, besojmë se do thyejmë çdo rekord”, tha ai.

Imunizimi i popullatës në Kosovë, ka nisur në muajin mars të këtij viti, kurse deri më tani janë vaksinuar mbi 72 mijë qytetarëQeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullatës.

Edhe Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, shpreson se gjatë muajve të verës, do ketë rikuperim të pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Kjo sipas tij, do të ndodhë me rritjen e konsumit dhe me ardhjen e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

“Rritje të konsumit pritet të ketë në sektorin e argëtimit, artikujt bazikë, por edhe te sektori i patundshmërive”, shprehet Rukiqi.

Sipas Bankës Qendrore, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 shënoi rënie deri në 4 për qind.

Shkrimi i plotë

https://www.evropaelire.org/a/kosova-pret-diasporen-mbarimin-pandemise-ringjallje-ekonomike/31291100.html

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familjarë të Bujarit, Kolegë të bibliotekës dhe të gazetës, Shokë,…