Në pritje të jetësimit të dalë nga Memorandumi i nënshkruar nga kryetarët e komunave që gravitojnë ka Bjeshkët e Nemuna -Trekufiri
Shkruan : Dr sc Erzen Gjonbalaj, hulumtues i turizmit në zonat rurale dhe turizmit erotik
Foto: Pamje nga Tre kufiri (Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi)
Burimi; https://www.visokogorcicg.com/deravica-tromeda-bogicaj-10-12-04-2015
Turizmi është kthyer në një nga dukuritë më të rëndësishme shoqërore, ekonomike, kulturore, politike dhe gjeografike të zhvillimit modern të botës, ndikimi i të cilit manifestohet, ndërthuret dhe ballafaqohet në hapësirën gjeografike dhe në të gjitha nivelet, nga ai vendor e rajonal në atë kombëtar dhe në atë global. Rëndësia dhe roli i turizmit buron nga marrëdhënia e drejtpërdrejtë dhe reciproke me realitetin hapësinor, social, politik, ekonomik dhe kulturor. Që do të thotë se origjina dhe zhvillimi i aktiviteteve, dukurive dhe proceseve turistike varet drejtpërdrejt nga elementët e bazës natyrore të hapësirës gjeografike, karakteristikat demografike, sistemi politik, mundësitë dhe zhvillimi ekonomik si dhe nga veçoritë kulturore dhe identiteti i vendeve turistike pritëse.
Në ditët që lamë pas, patëm rastin të marrim pjesë në nënshkrimin ceremonial të Memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet komunave të Pejës, Deçanit dhe Junikut nga pala kosovare, Bashkësisë të Tropojës nga Shqipëria dhe komunave nikoqire të Plavës dhe Gucisë nga pala malazeze. Qëllimi i shpallur i këtij tubimi ishte se si të punohet së bashku me qëllimin e valorizimit të potencialit të veçantë natyror të masivitetit të Bjeshkëve të Nemuna në dobi të të gjithëve përmes zhvillimit të të gjitha llojeve të turizmit që lejohen nga kushtet dhe që nuk bien ndesh me ligjet e ruajtjes të natyrës.
Siç e dim, çdo fillim është i vështirë, por premtimet e të pranishmëve na japin shpresë se këto bukuri natyrore do të valorizohen në masën që meritojnë dhe se të interesuarit, që fatkeqësisht po pakësohen çdo ditë nga migrimi, e sidomos të rinjtë, do t’i japin shpirtin ofertave unike turistike të kësaj zone.
Duke dëgjuar prezantimin e liderëve -nënshkruesve të Memorandumit, duhet besuar në sinqeritetit të tyre, por në anën tjetër paraqiten barriera që vështirësojnë zhvillimin e turizmit, e ky është komunikacioni i cili është faktori i tretë i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit. Siç dihet, dy faktorët e tjerë janë atrakcionet-tërheqja dhe faktori pritës të cilët nuk i mungojnë që kësaj zone, imagjinoni sa do të kontribuonin në valorizimin e atraksioneve natyrore të kësaj zone linjat e komunikacionit rrugor Pejë – Plavë (Cakor), Daçan – Plavë dhe Tropojë – Plavë.
Vlen gjithashtu t’i kushtohet vëmendje prezantimit të kryetarit të Bashkësisë të Tropojës z. Rexhë Biberaj, i cili ndër të tjera përmendi problemin e hapjes së pikës kufitare Qafa e Vranicës, ku mes tjerash tha: “Kam kaluar 300 km për të ardhur në Plavë në vend të 27 km nëse ai kalim do të ishte bërë i mundur. Ai konfirmoi gatishmërinë e palës shqiptare për hapjen e pikës kufitare, e cila mori edhe mbështetjen e ambasadores të Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi.
Po ashtu ja vlen t’i kushtohet vëmendje edhe prezantimit të kryetarit të Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë akt dhe pohoi përparësitë e shumta që sjell ky Memorandum bashkëpunimi dhe premtoj se do jetë dorë e zgjatur e gjithë atyre që do kontribuojnë në zhvillimin e turizmit në këtë zonë dhe më gjerë.
Secili prej të pranishmëve si prezantuesit ashtu edhe pjesëmarrësit e shihnin rëndësinë e madhe të kësaj nisme, por nuk do të ishte korrektë të mos përmendeshin edhe ata që kontribuuan në këtë ngjarje dhe shumë ngjarje para saj. Një nga ata që mirësia e tij është e pamatshme edhe për këtë fillim është zoti Tahir Gjonbalaj, i cili nuk është “ekspert i turizmit” siç e quajnë shumë veten pa rezultate, por kontributi i zotërisë në fjalë është shumë i madh në zhvillimin e turizmit të rajonit Plavës, Gucisë dhe Vuthajve. Z. Tahir Gjonbalaj gati tridhjetë vjet më parë u ofroi vendasve një ide dhe e fillojë me modesti Manifestimin “Alpet shqiptare”, një manifestim që rritej nga viti në vit, i cili u vizitua edhe nga kokat më të mençura shqiptare. Sot, falë kësaj ngjarje tradicionale Bashkësia Vuthaj është shndërruar në një nga destinacionet turistike më të vizituara në rajon. Në ditët kur filloi të realizohej ky manifestim, Bashkësia Vuthaj nuk kishte asnjë krevat të vetëm për mysafir, ndërsa sot pas gati tridhjetë vitesh mund të akomodohen afër një mijë të ftuar dhe të pa ftuar. Nëse vlerësojmë efikasitetin e asaj ngjarje në zhvillimin e turizmit, mund të kolaudojmë lehtësisht se edhe kjo iniciativë mund të jetë shumë e suksesshme.
Manifestimi i lartpërmendur ndikoi në ndjenjat por edhe në ndërgjegjen e banorëve të përhershëm të Bashkësisë Vuthaj dhe të tjerëve, të cilët për shumë arsye u detyruan të largoheshin nga vendlindja e tyre për të investuar më në fund kapitalin e fituar në ekonominë turistike dhe në këtë mënyrë të kontribuonin në ringjalljen e vendlindjes tyre e cila ishte në pikën e “harresës”. Merita u takon të gjithë atyre që patën guximin të hyjnë në ekonominë turistike në rrethana të paqarta. Një nga këto është edhe Kompleksi turistik “Mountain view resort”, në të cilin pronari ka investuar disa milionë euro. Ky kompleks turistik paraqet edhe portën hyrëse në këtë destinacion turistik tashmë të njohur që ka diçka për të gjithë.
Foto: Kompleksi turistik “Mountain View resort”
Burimi: Fcb i pronarit Arif Qosaj dt. 19.03.2024.
Mendimi i autorit të këtij teksti rreth kësaj ngjarje të rëndësishme do të ishte:
Burimet e disponueshme, pasuritë natyrore dhe tradita e prodhimit në hapësirat e masivitetit të Bjeshkëve të Nëmura së bashku kërkojnë forma të reja valorizimi. Afirmimi në treg i produkteve individuale të prodhimeve blegtorale malore, atyre bujqësore, fruta-perime dhe të tjera duhet të rriten me teknika të ndryshme, nga brendimi, nëpërmjet targetimit të nyejve të tregut deri te zhvillimi i tregut lokal nëpërmjet zhvillimit të turizmit, etj. Mundësia e fundit theksohet veçanërisht për shkak të vlerësimit se zonat malore dhe burimet e tyre janë veçanërisht të përshtatshme për zhvillimin e formave të ndryshme të turizmit, d.m.th se ato përfaqësojnë një avantazh krahasues të komunave nënshkruese të këtij Memorandumi.
Në gjetjen e një identiteti dhe drejtimeve të reja për zhvillimin e ekonomisë së vendbanimeve rurale në zonën e Bjeshkëve të Nemuna është realiste të pranohen tendencat e reja të Evropës dhe vendeve që tashmë e kanë kaluar periudhën e tranzicionit, duke përshtatur dhe plotësuar rolin e mëparshëm të fshatrave dhe të zonave rurale me ofertë të larmishme dhe duke futur turizmin si një nga aktivitetet bazë.
Nxitja dhe mbështetja e zhvillimit më të shpejtë të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në fushën e zhvillimit rural janë të një rëndësie të madhe. Krijimi i bashkëpunimit të mirë dhe forcimi i kapitalit social, nëpërmjet ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të të gjitha burimeve të fshatit (trashëgimia natyrore, kulturore dhe historike) dhe bjeshkës mund të kontribuojnë shumë në zhvillimin zonave të ruajtura të masivitetit të Bjeshkëve të Nemuna.
Rëndësi kyçe për zhvillimin e ekonomisë e në këtë rast turizmit ka lidhja e natyrës së ruajtur dhe blegtorisë tradicionale e shprehur përmes cilësisë së lartë të produkteve shtazore dhe biodiversitetit të lartë, të cilin ky prodhim ekstensiv i përshtatur me burimet vendase, i ka ofruar kënaqësi prej shekujsh kalimtarit-mysafirit të rastit që ka kaluar nëpër këto zona. Rajoni i hulumtuar, pra Bjeshkët e Nemuna kanë shanset më të mëdha më kombinimin e dy aktiviteteve ekonomike – bujqësisë dhe turizmit, sepse burimet njerëzore dhe vendndodhja gjeografike e bëjnë këtë të mundur. Tradita dhe kultura që rrjedhin nga kjo lidhje dhe markat vendase do të ndihmojnë në zhvillimin e shpejtë të një destinacioni të ri turistik me njohje të fortë në treg. Shanset e turizmit po rriten edhe në këtë kuptim sepse është e nevojshme të punohet aktivisht për rehabilitimin e prodhimit dhe përpunimit tradicional blegtoral duke ruajtur sistemet tradicionale kullosore-dele, si pjesë e zinxhirit të prodhimit të produkteve të qumështit tradicional të cilësisë së lartë dhe produktet e leshit dhe të qengjit. Industria përpunuese e bazuar në njohuritë dhe teknologjitë tradicionale nëse përshtatet siç duhet me standardet moderne do të jetë në gjendje të plotësojë vendet e munguara në mozaikun e ekonomisë rurale të rehabilituar në të cilën vlerën e shtuar përfundimtare do e siguron turizmi.
Agroturizmi është i një rëndësie thelbësore për misionin e ruajtjes së agrobiodiversitetit dhe është gjithashtu një nga prioritetet që u imponohen nënshkrueseve të këtij Memorandum në planet për zhvillimin e turizmit në këto rajone si dhe mbështetjen për strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të zonave rurale.
Agroturizmi si një integrim i bujqësisë dhe turizmit paraqet një shans reael për ringjalljen e fshatrave, sepse mund të sigurojë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve në dispozicion për prodhimin e ushqimit, pijeve dhe produkteve të tjera rurale.
Kombinimi i turizmit rural dhe bujqësisë ka potencial të jashtëzakonshëm për një lidhje cilësore me interesat e mbrojtjes së natyrës në rajonin e hulumtuar. Aktivitetet rekreative verore në natyrë, si ekskursione, peshkim, ecje, çiklizëm, turne dhe të ngjashme që nuk bien ndesh me normat ekologjike dhe zhvillohen në një zonë me përgatitje të mëparshme (shënjimi i shtigjeve), në kushte të sjelljes së qytetëruar dhe respektimit të regjimit të përdorimit të hapësirës do jenë të rëndësisë së veçantë për masovizimin e turizmit në këto zana,
Për shkak të specifikave natyrore,” sistemeve të gjalla” tradicionale të prodhimit, veçanërisht blegtorisë, mënyrës së ruajtur tradicionale të jetesës por edhe vendndodhjes së mirë gjeografike zhvillimi i turizmit ka potencial të madh për të tërhequr turistë nga e gjithë bota e veçanërisht turistë nga Evropa.
Ruajtja e familjes rurale është e mundur vetëm me valorizimin e linjave të vogla të prodhimi brenda vetë turizmit, me të ashtuquajturat HNV –(High nature value farming ) Bujqësi me vlerë të lartë natyrore, e cila do të mund të vazhdojë vetëm për një kohë të shkurtër në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri, nëse nuk përdoren programe cilësore dhe mbështetje financiare. Mbështetje të forte gjithë kësaj do ishte edhe gatishmëria për të shfrytëzuar programet e fondeve ndërkombëtare financiare sidomos programet e IPARD-it,
Në një mjedis kaq të ruajtur, sigurisht që mund të planifikosh aktivitete në natyrë të lirë si ngasje xhipash ose çiklizëm, kalërim etj. por me shumë kujdes që të mos shqetësohen peizazhet tradicionale (indi i ndjeshëm) që ruhet falë bujqësisë tradicionale e kombinuar dhe me turizmin. Ky mjedis i veçantë kërkon veprime serioze për të eliminuar praktikat e këqija tradicionale, veçanërisht në menaxhimin e mbetjeve, si ato të kafshëve ashtu edhe ato shtëpiake të amvisërisë. Sot për fat të keq ende ka persona të pa përgjegjshëm qe mbetje te nguta ndërtimore, organike dha industrial në vend që t΄i hedhin në deponi shpesh i hedhin nëpër zona të gjelbërta malore apo nëpër rrjedhat e burimeve ujore malore
Një gjë që duhet bërë nga ana malazeze në këtë masiv është mbrojtja e halorëve, të cilat në gjendjen e tyre aktuale paraqesin tmerr për popullsinë vendase pa përmendur ndjenjat e vizitorëve që kalojnë nëpër to dhe pran tyre,
Është e nevojshme që çdo komunë që ka nënshkruar këtë Memorandum dhe madje edhe vetë shtetet në strategjinë e tyre zhvillimore të krijojnë mundësi për të zhvilluar turizmin mbi një bazë të qëndrueshme që respekton identitetin kulturor të zonës, ruajtjen dhe zhvillimin ekologjik të saj që do të bazohet në nevojat dhe interesat e popullsisë vendase. Drejtimi i investimeve të ardhshme duhet të bazohet në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektimi i vlerave kulturore të kësaj zone.
Për realizimin e të gjitha llojeve të veprimtarive turistike, kushti është faktori pranues receptiv i cili sipas standardeve aktuale për cilësinë dhe nivelin e shërbimeve turistike, zë vend parësor në vlerësimin e cilësisë së shërbimeve turistike. Në faktorët material-pritës përfshihen edhe objektet akomoduese që sipas gjendjes së tyre të përhershme, mund plotësojnë nevojat e turistëve.
Fokusi i të gjitha aktiviteteve në fushën e turizmit në këtë nisme duhet të jetë vet njeriu, karakteri dhe vullneti i tij për të zhvilluar aktivitete turistike në zonat rurale dhe për të kryer ekspertiza . Ai është çelësi i suksesit. Edukimi i tij është i nevojshëm jo vetëm për të marrë njohuri teorike por edhe aftësi praktike.
Komunat e përfshira në këtë projekt, pra edhe shtetet nga e kanë origjinën këto komuna, nuk kanë shumë përvojë në krijimin dhe njohjen e politikave të veçanta për zhvillimin rural edhe kan më pak përvojë në bashkëpunimin ndërkufitar dhe rajonal në zhvillimin rural dhe natyrisht në zhvillimin e turizmit malor.
Megjithatë, për shkak të historisë së Ballkanit dhe kufijve artificialë, trashëgimisë kulturore të ndarë, gjuhës, madje edhe përkatësisë etnike, mundësia për të kontribuar në zhvillimin e komunave kufitare në këto vende të Ballkanit është vonuar. Ndonëse të ndara në disa vende me barrën e politikës kombëtare ndaj fqinjëve të tyre, për dekada komunat e brezit kufitar në këtë zonë kanë arritur të ruajnë ndjenjat pozitive për njëra-tjetrën dhe nevojën e natyrshme për bashkëpunim. Ndjenja është më e fortë në zonat kufitare margjinale përgjatë tre kufirit malazez-kosovar-shqiptar
Megjithatë, drejtimi i zhvillimit do të varet në masë të madhe nga kujdesi social i fshatit si komunitet social, por edhe si komunitet prodhues. Kjo nënkupton themelimin-ekzistencën e organizatave efektive që mund të ndihmojnë fshatin dhe fermerët në këto zona. Zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe praktika e zhvillimit rural, kërkojnë një lidhje midis turizmitologëve, sociologëve, ekonomistëve, agronomëve, historianëve, antropologëve, shkencëtarëve, politikanëve, juristëve, mjekëve, inxhinierëve dhe studiuesve të tjerë që zbatojnë ose praktikojnë zhvillimin rural në zonat rurale, pra e tërë shoqëria – me një fjalë, të gjithë ata që mund të jenë avokatë të mirë të zhvillimit dhe promovimit më të mirë të fshatit dhe mjedisit rural duke mos përjashtuar as pjesën urbane të këtyre zonave e cila do plotësoj ndonjë mungese të ofertës të turizmit që do ofrohet në zonat rurale dhe ato malore.
Le të besojmë se idetë e përfshira në këtë synim do të jetësohen dhe se ky “klaster” do të jetë shembull për komunitetet e tjera ndërkufitarë për të kapërcyer barrierat dhe për të realizuar bashkërisht synimet në dobi të të gjithë pjesëmarrësve në zhvillimin e llojeve te turizmit që lejon vet mjedisi i kësaj zone.