Në Prizren diskutohet për ngritjen e sigurisë në shkolla dhe në komunikacionin rrugor
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në qytetin e Prizrenit ka mbajtur të enjten mbledhjen e radhës, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa dhe kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.
Ministri Mustafa ka folur rreth sigurisë së përgjithshme, ngritjes së sigurisë në shkolla dhe sigurisë në komunikacionin rrugor.
Gjatë debatit fjalën e mori edhe kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, i cili tha se komuna vitin e kaluar ka shtuar ndriçim publik në rrugë deri në 15 kilometra gjatësi dhe do të vazhdojë edhe sivjet që të bëjë ndriçimin e rrugëve, qoftë me shtimin e shtyllave të reja të ndriçimit publik apo riparimit të atyre ekzistuese.
Sa i përket zjarrvënieve nëpër pyje, kryetari Haskuka ka thënë se në Prizren janë identifikuar rreth 200 raste të zjarrvënieve, por që sipas tij fatmirësisht për shkak të temperaturave jo shumë të larta ato nuk janë përhapur në sipërfaqe më të mëdha.
Në lidhje me këtë, Haskuka ka ftuar organet e drejtësisë që të ketë masa më të rrepta ndëshkuese ndaj atyre që shkaktojnë dëme të tilla.
Kurse rreth pyetjes për qentë endacakë, kryetari edhe njëherë ka bërë me dije se trajtimi i tyre vazhdon të bëhet në bashkëpunim me Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit, derisa procesi i ndërtimit të Qendrës për Trajtimin e Qenve ka ngecur paksa për shkak të çështjeve pronësore me Agjencinë e Pyjeve.
Gjithashtu në lidhje me trajtimin e qenve endacakë, Haskuka ka theksuar se komuna e Prizrenit ka bashkëpunim me organizata të ndryshme joqeveritare që merren me mbrojtjen e kafshëve.
Kryetari Haskuka ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme që të miratohet sa më shpejtë Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të ketë mekanizma shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, dhe me anë të këtij ligji të evitohet edhe problemi i lypsarëve.
/Epoka e re/