Në Prizren lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës
Të martën është lansuar programi i Skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prizrenit, program ky që po bëhet i mundur si rrjedhojë e suksesit të programit në Prishtinë.
Ky program do të mundësojë ofrimin e Pap testit për rreth 400 gra nga Komuna e Prizrenit, gjatë fazës së parë të implementimit, gjegjësisht në vitin 2018.
Po ashtu, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) në Prizren, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH dhe Kujdesit Dytësor Shëndetësor – Laboratorit të Patologjisë.
Përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të kujdesit parësor, palët synojnë po ashtu që të iniciojnë diskutime në mes të institucioneve dhe grupeve të interesit me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit.
Ky program, përmes Pap testeve për gratë dhe vajzat nga Komuna e Prizrenit do të mundësojë zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës.
/Epoka e re/