Në Prizren u përurua romani “Hanifja” i autorit Ramadan Reshitaj
Romani “Hanifja” i autorit Ramadan Reshitaj u promovua në Prizren. Shkrimtarët këtë roman të Reshitajt e kanë krahasuar me romanin “Malësorja” të Nazmi Rrhamanit.
Redaktori Skëndër Zogaj, ka vlerësuar se në romnin “Hanifja” pasqyrohet realiteti autentik i jetës dhe të rrethanave etno-kulturore e sociale të fshatit kosovar.
“Romani i Ramadan Reshitajt, që mendoj se është një novelë, trajton temë që na rikthen në realitetin kosovar të viteve të 1960-70-ta, kur familja fshatare shqiptare e zonave rurale, vazhdonte të ishte e kapërthyer nga doket dhe zakonet e vjetra prapanike, të cilat e dominonin jetën fshatare e në mënyrë të veçantë e rëndonin fatin e femrës, e cila bënte jetën e robit duke u trajtuar si plaçkë për treg”, vlerësoi Zogaj. “Kjo është bërthama thelbësore tematike e veprës “Hanifja”, që nëpërmjet të një rrëfenje idilike, pasqyron realitetin autentik të jetës dhe të rrethanave etno-kulturore e sociale të fshatit kosovar”.
Sipas tij, kjo temë nuk është e re në letërsinë tonë, “sepse janë dhjetra vepra të ngjashme të autorëve të ndryshëm, që motivet e ngjashme i kanë trajtuar me shumë sukses”.
“Ndër to njëra nga më të mirënjohurat është romani “Malësorja” e Nazmi Rrahmanit, së cilës i bashkëngjitet si një simotër “Hanifja” e Ramadan Reshitajt, që në fokus ka një ngjarje më të “ngushtë” por shumë interesante, tipike dhe për një mjedis karakteristik malësorësh të dominuar nga doket dhe zakonet e vjetra prapanike, që reflekton vështirësi, sfida, krajata të shumta fizike e shpirtërore. Pasojat janë të rënda dhe të pamerituara, sepse, kapërcejnë logjikën e arkaizmit tradicional, duke qenë se kemi të bëjmë me variante të një mentaliteti të shpifur, që autori Ramadan Reshitaj arrin ta demonstrojnë bukur dhe saktë me një qasje të zgjedhur të jetësores dhe transponimin e saj në art funksional”.
Sipas Zogajt vepra ka përshkrime të bukura të peizazheve të natyrës, të fenomeneve stinore, florës dhe të faunës, njerëzve duke punuar, e të tjera si tablo jete të zgjedhura me kujdes e të shprehura me një kolorit gjuhësor të pasur frazeologjik, që dëshmon zotësinë tregimtare të autorit Ramadan Reshitaj, i cili me këtë krijim letrar pasuron rrezatimin artistik për të gjitha kategoritë e lexuesve.
Xhemail Kolgeci tha se libri ” Hanifja” ofron një pamje të thellë të jetës rurale dhe të sfidave njerëzore në një mjedis të vështirë ekonomikisht dhe me tradita të vjetra prapanike.
“Në këtë roman është një histori e detajuar dhe komplekse që shpreh lidhjet e komplikuara dhe të ndërlikuara emocionale midis personazheve”, u shpreh ai.
Ndërkaq, autori Ramadan Reshitaj tregoi se si ka ardhur deri të boimi i këtij romani.
“Ka qenë verë e vitit 1972, unë isha në klasën e dytë të Gjimnazit në Suharekë, kur kam filluar të shkruaj këtë rrëfim. E pata emërtuar me NIFA në bazë të emrit të njërës ndër personazhet kryesore dhe planifikoja që finalja të jetë një novelë. I pata shkruar dhe shtyp me makinë shkrimi më se 70 faqe. Makinën ma pati sjellë nga Gjermania dhuratë babai, i cili atëherë përkohësisht punonte atje”, tregoi ai.
“Materialin e shtypur ia afrova profesorit tim të lëndës së gjuhës shqipe, tash të ndjerit Nezir Rrezja, për ta lexuar dhe për të marrë mendimin e tij”.
“Si djalosh adoleshent, pra në moshën 17 vjeçare, mendoja se do të bëhem shkrimtar dhe se me novelën Nifa do të krijojë emër.
“Profesori Nezir, i cili edhe vetë merrej me krijimtari letrare, shkruante dhe botonte vjersha shumë të bukura, e kishte lexuar me kujdes tërë materialin që ia kisha besuar. Kur ma ktheu, sigurisht duke mos dashur që të ma humb vullnetin, më foli fjalë të mira dhe më këshilloi që ta ripërpunoj dhe ta përkryej, sepse ashtu siç ishte, nuk ishte e kompletuar”.
“Që atëherë, kanë kaluar shumë kohë. Në jetën time janë bërë shumë ndryshime. Më është zbehur edhe interesimi për t’u marrë me “Nifën”. Ishin studimet, punësimi, martesa, krijimi i familjes, ndërtimi i shtëpisë dhe hallet tjera të jetës. Edhe gazetaria, së cilës iu përkushtova i tëri, ndikoi që shumë më pak të merresha me letërsi”, u shpreh ai.
Ramadan Reshitaj ka lindur në Samadraxhë të Suharekës me 17 maj 1955. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, kurse gjimnazin në Suharekë. Në Prizren ka diplomua në Shkollën e Lartë Pedagogjike, kurse në Prishtinë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Grupin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ka punuar gazetar në Radio Prishtinë e pastaj në “Rilindje”. Në vitin 1992 ka emigruar në Suedi. Këtu ka qenë bashkëtheme- lues i revistës “Besa” kryeredaktor i së cilës ka qenë për disa vite me radhë. Një kohë ka botuar edhe revistën për fëmijë dhe të rinj “Xixëllonja”. Nga Suedia ka bashkëpunuar me shtypin dhe TV në Kosovë e Shqipëri dhe ka qenë bashkëpunëtor i Radio Suedisë, Programi në Gjuhën shqipe. Me letërsi është marrë që nga bankat e shkollës fillore.
Romani “Hanifja” është libri i njëmbëdhjetë i tij.Jeton dhe krijon në Malmë të Suedisë. Libri u botua nga shtëpia botuese “Fidani” në Prizren/PrizrenPress.com/