
Në protestat e studentëve në Serbi edhe veteranë të brigadës që luftoi në Kosovë
Në mesin e dhjetëra mijëra njerëzve që morën pjesë në tubimin protestues dhe në bllokadën 15-orëshe të qendrës së Kragujevcit në Serbi më 15 shkurt, ishin edhe veteranë të Brigadës së 63-të të Parashutës.
Si ish-pjesëtarë të kësaj njësie të Ushtrisë serbe, ata janë kontrovers, për shkak të rolit që kanë luajtur gjatë luftës në Kosovë.
Pjesëtarë të kësaj brigade kanë qenë të pranishëm në vendin e njërit prej krimeve më masive të kryera nga forcat serbe në komunën e Gjakovës.
Me bereta të kuqe në kokë – njërin prej simboleve të njësisë së tyre – ata fillimisht bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh te monumenti i qytetarëve të Kragujevcit, të cilët u pushkatuan nga nazistët në vitin 1941.
Më pas iu bashkuan protestës së thirrur nga studentët, të cilët, për gati tre muaj, kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete, për shkak të vdekjes së 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, nëntorin e vitit të kaluar.
Kjo nuk ishte hera e parë që anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës morën pjesë në tubime masive, të organizuara nga studentët në qytete anembanë Serbisë.
Ata ishin të pranishëm më 1 shkurt edhe në Novi Sad, ku akademikë dhe qytetarë të tjerë bllokuan Urën e Lirisë për 27 orë, si dhe më 27 janar në Beograd, ku një kryqëzim rrugësh, i njohur si Autokomanda, u bllokua për 24 orë.
Nga ajo që dihet, ata nuk janë të përfshirë në organizimin e aktiviteteve të studentëve, të cilët distancohen nga ndikimet politike dhe lidhjet me parti apo organizata politike.
Pse iu bashkuan protestave?
Praninë e tyre në këto tubime, ata e shpjeguan në një deklaratë të publikuar më 6 shkurt në ueb-faqen e shoqatës, në të cilën, mes tjerash, thuhet se Shoqata e Veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës “nuk është organizatë politike” dhe se “prania e veteranëve në ngjarjet aktuale nuk shpreh ndonjë qëndrim politik, përveç shqetësimit për sigurinë e të rinjve që protestojnë në mënyrë paqësore”.
“Në opinion ka ndarje të thellë ndaj studentëve dhe të rinjve që protestojnë, janë bërë kërcënime ndaj tyre dhe janë emëruar grupe të tëra parashtetërore, që gjoja duhej t’i shpërndajnë protestat me dhunë”, thuhet në deklaratë.
Studentët dhe qytetarët tjerë, që çdo ditë i bllokojnë rrugët dhe kryqëzimet për nga 15 minuta, për të nderuar në heshtje 15 viktimat e Novi Sadit, kanë qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve verbale dhe fizike. Dy studente u plagosën rëndë në dy incidente të ndara në Beograd, pasi u përplasën nga makinat.
Në deklaratën e veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës thuhet se disa anëtarë të kësaj shoqate “kanë marrë pjesë aktive në mbrojtjen e studentëve nga kërcënimet e mundshme për sigurinë dhe jetën e tyre”.
Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se veteranët, si pjesëtarë të pensionuar të ushtrisë, janë duke marrë pjesë në protesta që kanë mbështetje të gjerë publike për kërkesat e tyre. Ngjashëm, atyre u janë bashkuar edhe mësimdhënës, fermerë, juristë dhe punonjës të kulturës.
Kandiq shton se me praninë e tyre, veteranët nuk janë duke përcjellë mesazhe lidhur me qëndrimet e tyre politike.
“Ata po ofrojnë mbështetje, ashtu si edhe grupet e tjera shoqërore atje. Ata mbështesin atë që shumica dërrmuese e njerëzve mbështesin – që institucionet ta bëjnë punën e tyre”, thotë Kandiq.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të siguronte ndonjë koment nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Serbisë për pjesëmarrjen e veteranëve të Brigadës së 63-të të Parashutës në protestat në Serbi.
Roli në luftërat e viteve 1990
Brigada e 63-të e Parashutës është një njësi taktike, e cila merret me mbledhjen e informacioneve dhe kryerjen e operacioneve të forcave speciale në thellësitë operative dhe strategjike të armikut, duke përdorur manovra vertikale, thuhet në faqen e internetit të Ushtrisë së Serbisë.
Ajo mund të angazhohet edhe për kryerjen e aktiviteteve dhe operacioneve speciale luftarake, me rëndësi të veçantë.
Brigada u formua zyrtarisht në vitin 1967, me seli në Nish, në Republikën e atëhershme Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Ata ishin të pranishëm më 27 prill të vitit 1999, kur u krye operacioni madhor ‘Lumi’… kur ndodhi krimi më masiv në Kosovë”.
Në luftërat që shpërbënë Jugosllavinë, anëtarët e saj ishin të pranishëm kudo – nga Kroacia, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, thotë Kandiq, organizata e së cilës është e angazhuar në mbledhjen e fakteve për krimet e luftës dhe viktimat gjatë luftërave të viteve 1990.
Në nivel të fakteve të vërtetuara gjyqësore, thotë Kandiq, ka të dhëna për pjesëmarrjen e Brigadës së 63-të të Parashutës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.
Këtë e dëshmojnë edhe aktgjykimet kundër gjeneralëve të atëhershëm të Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq, për krime lufte kundër civilëve shqiptarë.
Për krime lufte kundër civilëve shqiptarë, Pavkoviq, ish-komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, u dënua me 22 vjet burg në Hagë, ndërsa Llazareviq, si ish-komandant i Korpusit të Prishtinës, u dënua me 14 vjet burg.
Në këto aktgjykime, Tribunali i Hagës konstatoi se rreth 500 pjesëtarë të Brigadës së 63-të të Parashutës ishin të pranishëm në prill të vitit 1999 në territorin e Gjakovës, ku ishin dislokuar për të parandaluar kalimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Shqipëria në rrugën Gjakovë-Deçan.
“Ata ishin të pranishëm më 27 prill të vitit 1999, kur u krye operacioni madhor ‘Lumi’… kur ndodhi krimi më masiv në Kosovë. Në atë rast, më shumë se 300 banorë të fshatit Meje u ndanë nga familjet e tyre dhe u vranë në rrugën për në Gjakovë, ndërsa banorët e tjerë u dëbuan për në Shqipëri”, kujton Kandiq.
Sipas saj, të dhëna të tjera, që do të tregonin për përgjegjësinë e komandantëve apo shefave të shtabit të Brigadës së 63-të të Parashutës, nuk ka, sepse aktakuzat kundër udhëheqjes ushtarake të Ushtrisë së Jugosllavisë kishin në fokus gjeneralët dhe ata që komanduan formacionet më 27 prill.
“Ajo që është vërtetuar definitivisht, është prania dhe veprimet e pjesëtarëve të Brigadës së 63-të të Parashutës. Ata kanë qenë të angazhuar edhe para, edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, në kuadër të Korpusit të Prishtinës, por si pjesë e detyrave të caktuara për njësi të ndryshme që ishin në varësi të Korpusit të Prishtinës”, thotë Kandiq.
Pjesëtarët e Brigadës së 63-të të Parashutës ishin gjithashtu të pranishëm në Betejën e Koshares, e cila u zhvillua në jug të Kosovës nga prilli deri në qershor të vitit 1999.
Kjo është një nga tragjeditë e luftës, e cila në Serbi, viteve të fundit, është përshkruar si një epope heroike e ushtarëve të rinj që mbrojtën kufirin dhe penguan hyrjen e pjesëtarëve të UÇK-së nga Shqipëria në territorin e Kosovës, gjatë bombardimeve të NATO-s.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, dy anëtarë të Brigadës së 63-të të Parashutës u vranë në luftime.
Kandiq thotë se ata ishin të rinj, të cilët pas shërbimit të rregullt ushtarak u dërguan direkt në Koshare.
“Nga numri i përgjithshëm i të vrarëve, së paku 50 prej tyre ishin të rinj në shërbim të rregullt ushtarak, të cilët u dërguan si ‘mish për top’. Ajo njësi – e cila gjithmonë përmendet si njësi elitare – përdori të njëjtën metodë në Koshare sikurse të gjitha njësitë e tjera: dërgoi të rinj të moshës 19 dhe 20 vjeç në një betejë shumë serioze, ku kishte aksione të drejtpërdrejta nga të dyja palët”, thotë Kandiq.
Në bazë të të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare për shtetasit serbë që humbën jetën në luftërat e viteve 1990, shihet se pjesëtarët e Brigadës së 63-të të Parashutës ishin të pranishëm edhe në frontet në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
Nga brigada në batalion dhe mbrapa
Kjo njësi, së bashku me Brigadën e 72-të Speciale, u nderuan me Urdhrin e Heroit të Popullit në tetor të vitit 1999 dhe Urdhrin e Flamurit të Luftës në qershor të vitit 2000, për meritat e tyre gjatë kohës së luftës, përkatësisht gjatë regjimit të ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq.
Pas përmbysjes së regjimit të tij autokratik, të dyja njësitë u reduktuan në gradën e batalionit në vitin 2006 dhe u bashkuan në Brigadën Speciale.
Trembëdhjetë vjet më vonë, Qeveria aktuale e Serbisë, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, ua ktheu statusin e brigadës të dyja njësive.
Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, sot zëvendëskryeministër i Serbisë, Aleksandar Vulin, e arsyetoi këtë vendim, duke thënë se këto dy njësi i qëndruan në krah popullit serb sa herë që “kërcënohej nga rreziku i krimit dhe shkatërrimit”.
Sot, një nga aleatët më besnikë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Vulin ishte anëtar i së Majtës Jugosllave gjatë viteve 1990, e cila ishte pjesë e regjimit së bashku me Partinë Socialiste të Serbisë të Millosheviqit. /REL