Në Qendrën Korrektuese të Dubravës parandalohet futja e substancave narkotike
Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës pas një informacioni konfidencial nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e kontrabandës brenda kësaj qendre.
Me të pranuar informacionin, i menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit përgjegjës për siguri, i cili ka ndërmarr veprimet e nevojshme, me ç’rast në tunelin e hyrjes në Porten e Re të qendrës kanë lokalizuar veturen e kompanisë, e cila është e kontraktuar për servisimin e pajisjeve elektrike në SHKK.
Gjatë kontrollit, brenda pjesës së pasme të vetures (bagazh), në mënyrë të kamufluar është gjetur substancë e dyshuar narkotike.
Lidhur me rastin është njoftuar policia, ndërsa SHKK ka filluar hetimet dhe shumë shpejt do të dalë me një raport të detajuar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndroj duarkryq përballë këtyre dukurive negative, të cilat rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj.