Në QKUK fillon zëvendësimi i valvuleve të zemrës me valvule biologjike
Ekipi mjekësor i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka kryer për herë të parë një operacion tek një pacient i moshës 70-vjeçare, i njohur si zëvendësim i valvules aortale me valvule biologjike (bovin biological aortit valve) të krijuar nga perikardi bovin.
Operacionet e tilla mundësojnë që pacientet të jetojnë pa terapi anti-koagulantë.
Ato zakonisht vendosen tek pacientët të cilët kanë rrezik nga koagulopatit, tek femrat e reja të cilat mendojnë të krijojnë familje, tek të rinjtë që dëshirojnë të merren me sport dhe kanë nevojë për ndërrim të valvulet si dhe tek moshat e shtyra (70 vjet e tutje).
Pacienti i operuar është liruar në shtëpi në ditën e pestë post-operatore dhe është në gjendje të mirë të përgjithshme dhe lokale.
Valvulet biologjike janë valvule të krijuara nga indet shtazore (indet e derrit, lopës, kalit).
Në këtë rast është zëvendësuar valvula biologjike e krijuar nga perikardi i lopës.
Ky operacion është realizuar nga kardiokirurgët dr. Arbër Kutllovci, kardiokirurg dhe dr. Adem Grbolar, kirurg kardiovaskular.
Për anestezionin është kujdesur dr. Dafina Matoshi, kardio-anesteziologe dhe dr. Diana Avdyli, kardio-anesteziologe, asistuar edhe nga ekipi i instrumentarëve dhe teknikëve të anestezionit.
Kardiokirurgjia vazhdon të realizojë operime të komplikuara dhe të shtrenjta, të cilat realizohen në Qendrat e mëdha kardiokirurgjike në botë, duke kursyer pacientët që mos të shkojnë jashtë institucioneve publike, por edhe buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.
/Epoka e re/