Në QKUK u shpëtuan gjashtë pacientë me infarkt të miokardit brenda dy orëve të para

14 gusht 2019 | 13:22

Janë prezantuar rezultatet e para të programit në nivel kombëtar për trajtimin e Infarktit të Miokardit brenda dy orëve të para.

Gjatë prezantimit të këtyre rezultateve, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se është arritur mjaft në fushën e kardiologjisë invazive, ngase falë punës dhe angazhimit edhe të stafit mjekësor, është krijuar shërbimi për stentim 24 orë, shtatë ditë në javë.

Sipas Ismailit, me këtë është arritur të kursehet buxheti, të shpëtohet xhepi i qytetarëve por edhe të pamundësohet zhvillimi i korrupsionit.

“ Sot po ia bashkëngjisim një sukses tjetër, një program më të ri për trajtimin e sulmeve në zemër për dy orët e para. Pra, një person kur ka sulm në zemër, krejt zinxhiri hyn në funksion që ai të vijë direkt në sallë, mos ketë vonesa dhe pengesa, mos të sillet nga zyra në zyrë, pra shërbimi të merret brenda dy orëve”.

“Ky projekt nuk ka ekzistuar më parë. Projekti është testuar në komunën e Prishtinës, ku kanë përfituar gjashtë pacientë me gjendje kritike, brenda dy orëve, ata kanë ardhur direkt këtu, personeli ka bërë trajtimin e tyre. Ky shërbim shpëton jetë, kursen para, ndalon korrupsionin”, ka theksuar ministri Ismaili.

Ai ka deklaruar se për herë të parë është arritur një lidhje direkte e sistemeve shëndetësore, atij primar dhe terciar, ku po kurorëzohen rezultatet që krijojnë siguri tek pacientët që kanë sulme në zemër.

Sipas Ismailit, tani Shërbimi i Kardiologjisë Invazive ka arritur numër rekord të stentimeve dhe koronarografive.

Në anën tjetër, dr. Basri Sejdiu, drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, ka thënë se që nga fillimi ka qenë i mishëruar me këtë shërbim, kanë kaluar shumë sfida, është arritur qëllimi me përgatitje të stafit dhe infrastrukturë dhe me resurse humane.

“Trajtimi në dy orët e para na bënë krenarë, i tejkalojmë vendet e regjionit, ato nuk e kanë këtë program, është krijuar mundësia që pacienti, nga çdo skaj, të mbërrijë në dy orët e para. Kjo sëmundje është problematike në tërë botën, por ne po arrijmë suksese tek moshat e reja, kjo shpëton jetë dhe shumë persona nga invalideti, sidomos moshat e reja dhe ata të aftë për punë”, është shprehur Sejdiu.

Ai ka sqaruar se si pilot-projekti ka filluar me komunën e Prishtinës, ku është inkorporuar edhe mjekësia primare.

Më tutje, Sejdiu ka theksuar se pacientët që kanë dhimbje gjoksi me një EKG vijnë direkt në sallë të kateterizimit, anashkalohet marrja e udhëzimit dhe emergjenca dhe pranohen direkt.

Dr. Tefik Bekteshi, drejtor i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, duke sqaruar aspektet profesionale, ka pohuar se infarkti i miokardit shkakton mbyllje të arteries që furnizon muskulin e zemrës.

Ai ka thënë se me mjaft sukses është arritur të hapen arteriet tek gjashtë rastet e para, edhe pse tri prej këtyre rasteve ishin mjaft të komplikuara.

“Krejt esenca është ta hapin në mënyrë mekanike arterien përmes vendosjes së stentes, pra intervenimi bëhet aty ku është mbyllur arteria. Për dy vjet kemi punuar shumë, kemi ngritur sistemin publik në nivel që të absorbojë pacientë për sistemin kardiovaskular, kemi punuar shumë, jemi kthyer nga mjekësia primare, ku kemi pasur mbështetje nga stafi, kemi bërë disa trajnime, kemi filluar projektin në Komunën e Prishtinës, ka thënë Bekteshi.

Dr. Agron Qerimi, shef i Shërbimit të Kardiologjisë Invazive, ka theksuar se katër nga pacientët, në të cilët është intervenuar në dy orët e para, kanë qenë të komplikuara, tre nga ta me çrregullime të ritmit.

Ai përcolli një mesazh tek popullata, që në rastet kur kanë dhimbje gjoksi, të lajmërohen tek mjeku më i afërt dhe të bëhet EKG për verifikim.

Programi në nivel kombëtar për trajtimin e Infarktit të Miokardit brenda dy orëve të para, pritet të zgjerohet në tërë Kosovën.

/Faton DËRMAKU/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veterani i luftës së UÇK-së, Nasuf Mjekiqi është diagnostifikuar me…