Në qytetin e Gjilanit do të instalohen edhe 257 kamera të sigurisë
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e ka vlerësuar stabile gjendjen e sigurisë në Gjilan, në një takim ku është diskutuar edhe për aktivitetet parandaluese të dukurive negative përmes instalimit të kamerave.
Po ashtu, KKSB-ja ka diskutuar edhe për pritjen e bashkatdhetarëve, sikurse nga ky takim janë lansuar edhe fushatat vetëdijesuese kundër ndezjes së zjarreve fushore dhe malore, përkatësisht fushatës për parandalimin e të shtënave festive.
Bejtullah Osmani, koordinator i KKSB-së, ka thënë se gjithçka është gati për të filluar me vizita në terren dhe me paraqitjen e materialeve vetëdijesuese sa i përket rrezikut nga zjarret fushore dhe malore, ndezja e të cilave pos që është e dëmshme, është edhe e dënueshme me kodin penal të Republikës së Kosovës.
Kurse sa i përket pritjes së bashkatdhetarëve, Osmani ka thënë se komuna do t’i ndërmarrë masat e duhura që kërkesat e tyre t’i trajtojmë me prioritet, ndërkaq për shkeljet eventuale nga ana e tyre, duhet të jenët ë vetëdijshëm se edhe ata do t`i nënshtrohen ligjit sikurse të gjithë qytetarët tjerë.
Sa i përket zgjerimit të rrjetit të kamerave në qytet, në funksion të rritjes së sigurisë, Osmani ka thënë se pritet të shtohen edhe 257 kamera, një projekt ky që mbështet nga Ambasada e ShBA-ve në Kosovë. Aktualisht janë funksionale 96 kamera.
Sipas policisë, këto pajisje po e lehtësojnë punën e tyre në zbulimin e kryesve të veprave penale, por ky rrjet duhet të shtrihet edhe në lokacione të tjera, sikurse ka nevojë të ndërrohet sistemi i kamerave ekzistuese, për t`u zëvendësuar me kamera të reja që kanë rezolucion më të madh.
Aktualisht janë identifikuar edhe lokacionet ku duhet të vendosen kamerat e sigurisë. Sipas projeksionit, gjithsej 291 lokacione në qytetin e Gjilanit, do të monitoron nga kamerat e sigurisë.
Sa i përket fushatës kundër të shtënave me armë të zjarrit gjatë ahengjeve dhe tubimeve familjare, zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani, ka thënë se këto të shtëna, jo vetëm që prishin gjendjen e sigurisë publike, por shpeshherë rezultojnë edhe fatale, andaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të festojnë me zemër dhe jo me armë.
“Qëllimi ynë është që edhe përmes kësaj fushate të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi të sigurte për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Gashani.
Ai ka rikujtuar se të shtënat me armë zjarri gjatë ahengjeve festive janë të ndaluara me ligj, sepse paraqesin kërcënim për jetën e njeriut dhe për sigurinë publike.
Mentor Cakolli (UNDP), mbështetës i projektit, ka thënë se qëllimi i fushatës ‘festo me zemër, jo me armë’ është që mesazhi kundër të shtënave festive të përcillet te secili qytetar.