Në radhë për makarona, mbyllja e ekonomisë ka vendosur në vështirësi të varfrit
Rajoni më i varfër i Italisë, Siçilia, është goditur fort nga mbyllja e ekonomisë dhe të varfrit po mbajnë radhë çdo ditë pranë qendrave sociale për të ngrënë një pjatë makarona. Italia numëron rreth 3.7 milionë njerëz që punojnë në të zezë dhe kjo besohet të jetë kategoria më e prekura nga mbyllja e ekonomisë. Për të zbutur efektet e pandemisë në ekonomi qeveria dha një fond prej 4.3 miliardë eurosh për të ndihmuar nevojtarët.
Në kushte normale, në radhë për ushqime falas nga shoqatat bamirëse të Sicilisë qëndrojnë vetëm të pastrehë apo më të varfrit.
Por tani që Italia po futet në javën e shtatë të izolimit, gjithnjë e më shumë njerëz po ndeshen me vështirësi pa rrogën e tyre të zakonshme.
Në Siçili, një prej rajoneve më të varfra të Italisë, gjendja është shqetësuese për nevojtarët.
Të premten u panë radhë të gjatë me njerëz para selisë së Caritas-it në Catania, ku zakonisht shërbehen ushqime të ngrohta apo makarona, bukë të mbushura apo qumësht.
“Ne nuk kemi të ushqehemi. Çdo gjë ka ndalur. Si mund të ushqehemi në këtë gjendje, ndaj më duhet të vij këtu. Ky është një problem. Jemi të shkatërruar. Është një gjendje e neveritshme. Ne po mbijetojmë duke marrë ushqim këtu,” thotë Francesco Privitera, me një zë të tensionuar.
Privitera vjen çdo ditë pranë qendrës së Caritas-it për të ngrënë një pjatë makarona, pasi me mbylljen e përgjithshme të Italisë ai do të mbetej pa ngrënë.
Kjo qendër sociale shërben rreth 250 pjata gjatë vaktit të drekës, në çdo ditë të javës. Ata kanë shtuar shërbimin dhe po përpiqen të plotësojnë kërkesat e shumta këto ditë.
Italia, një prej vendeve të goditura më fort nga pandemia e koroanavirusit numëron rreth 3.7 milionë njerëz që punojnë në të zezë.
Kryeministri Giuseppe Conte ka premtuar ndihmë për të gjithë njerëzit në nevojë.
Qeveria ka planifikuar një fond prej 4.3 miliardë eurosh për kryetarët e bashkive si dhe 400 milionë euro të tjera që do të shpërndahen në formën e kuponëve ushqimorë.”