Në Rahovec filluan aktivitete për shënimin e “Epopesë së korrikut 1998”
Në organizim të Komunës së Rahovecit dhe shoqatave të dala nga UÇK-ja, dega në Rahovec, të mërkurën kanë filluar aktivitetet për shënimin e “Epopesë së korrikut 1998”.
Aktivitetet kanë filluar me bërjen e homazheve nga kryetari Latifi, stafi i tij, familjar dhe bashkëluftëtar të dëshmorëve tek vendi i betejës tek përmendorja e dëshmorëve në fshatin Fortesë, kurse në qendrën e kulturës “Mensur Zyberaj”, në Rahovec është mbajtur Akademi përkujtimore dhe është shfaqur premiera e filmit dokumentar “Agimi i lirisë”, kushtuar dëshmorit Agim Kelmendi, në 20-vjetorin e rënies.
Në fjalën e mbajtur në akademinë përkujtimore, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se hyrja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec është ndër kapitujt e historisë tonë kombëtare që i dha dimensione të reja luftës për çlirim. “Rahoveci ishte arterie e veçantë e luftës së UÇK-së, jo vetëm për pozitën gjeografike por edhe për gatishmërinë e popullit të kësaj ane për të qenë pjesë aktive e luftës për çlirim”, ka thënë Latifi.
Në emër të familjes Kelmendi, fjalën e mori Halim Kelmendi, vëlla dhe bashkëluftëtar i dëshmorit Agim Kelmendi, i cili më këtë rast i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në akademi, dhe ata të cilët kanë bërë të mundur përgatitjen e dokumentarit “Agimi i lirisë”.