Në rastin e Kosovës edhe shkatërrimet janë dëshmi e qëllimit të Serbisë për gjenocid
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Një nga çështjet më delikate për të argumentuar se në një kontekst të caktuar ka ndodhur gjenocid lidhet me dëshmitë se vrasjet, dhunimet, dëbimet kanë pasur për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të njërit nga grupet e mbrojtura me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.
Jurisprudenca e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë na mundësojmë të nxjerrim konkluzione për qëllimin gjenocidar edhe në situatat kur të akuzuarit refuzojnë të pranojnë se kanë kryer krimin me qëllim që të shkatërrohet një grup i caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar si i tillë.
Kështu për shembull Dhoma I e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën në procesin kundër Jean-Paul- Akayesu thekson:
“Kur kemi të bëjmë me atë se si të përcaktohet qëllimi specifik i atij që ka kryer këtë krim, Dhoma konsideron se qëllimi është faktor i natyrës psikologjike të cilin është shumë e vështirë, madje e pamundur, ta përthekojmë. Për këtë arsye, në mungesë të pranimit nga ana e të akuzuarit, qëllimi i tij mund të nxirret nga një numër faktesh. Për shembull, Dhoma vlerëson se është i mundshëm të nxirret qëllimi i gjenocidit duke e mbështetur një akt të veçantë për të cilin është akuzuar në tërësinë e akteve dhe thënieve të së akuzuarit, ose nga konteksti i përgjithshëm i kryerjes së akteve tjera të dënueshme, të drejtuara në mënyrë sistematike kundër të njëjtit grup, të kryera qoftë nga i njëjti person ose nga persona të tjerë. Faktorë tjerë, si shkalla e armiqësive të kryera, karakteri i tyre i përgjithshëm në një rajon ose vend, apo fakti i zgjedhjes së qëllimshme dhe sistematike i viktimave për shkak të përkatësisë së tyre një grupi të veçantë, duke i veçuar anëtarët e grupeve tjera, i mundësojnë dhomës që të nxjerrë qëllimin për gjenocid (Tribunal Pénal International, LE PROCUREUR CONTRE JEAN-PAUL-AKAYESU, Affaire N° ICTR-96-4-T, paragrafi 523).
Një element tjetër me rëndësi del nga jurisprudenca Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë lidhur me atë që shpesh futet në kuadër të “dëmeve materiale”.
Shkatërrimi ose përvetësimi i të mirave material gjatë një konflikti të armatosur, sulmi apo bombardimi i qyteteve, i fshatrave, i banesave apo i ndërtesave të pambrojtura, e që nuk janë caqe ushtarake, konsiderohet shkelje e rëndë e Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1948 (neni 147 i këtyre konventave) dhe hyjnë në kategorinë e krimeve të rënda të luftës.
Të njëjtat qëndrime janë të përfshira edhe në statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën (neni 4), në statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë (neni 2) dhe në statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ( neni 8).
Mirëpo në procesin gjyqësor kundër Radisllav Kërstiqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë thuhet: “Dhoma e Shkallës së Parë thekson se shkatërrimi fizik ose biologjik i grupit shpesh shoqërohet me cenimin e të mirave dhe simboleve kulturore dhe fetare të grupit që është marrë në shënjestër, cenim që në mënyrë legjitime mund të llogaritet gjatë argumentimit për të dëshmuar ekzistencën e qëllimit për shkatërrimin fizik të grupit. Dhoma konsideron që në këtë rast shkatërrimi i qëllimshëm i xhamive dhe i shtëpive që u takojnë anëtarëve të grupit është dëshmi e qëllimit për të shkatërruar grupin” (Tribunal Penal International pour Ex-Yougoslavie, La Chambre de Première Instance, Le procureur contre Radislav Krstić, Affaire nr. IT-98-33-T, 2 août 2001, paragrafi 580).
Duke u mbështetur në këtë interpretim juridik të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë mund të nxjerrim si konkluzion se shkatërrimi i 100.589 shtëpive, i 358 shkollave, i 30 shtëpive kulturore, i 93 bibliotekave, i 123 institucioneve shëndetësore dhe i 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike) janë dëshmi për QËLLIMIN E SERBISË PËR TË SHKATËRRUAR SHQIPTARIN SI TË TILLË.