Në rastin e krerëve të UÇK-së, Prokuroria planifikon të zvogëlojë numrin e dëshmitarëve, Trupi Gjykues i jep afat deri më 21 maj
Deri më 21 maj është afati që Trupi Gjykues ia ka dhënë Prokurorisë së Specializuar në Hagë, që të ofrojë një numër më të vogël të dësmitarëve të mbetur në rastin e krerëve të UÇK-së.
Kur ka kaluar gati 1 vit nga nisja e gjykimit, 48 dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre. E Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte bërë të ditur se ka të planifikuar edhe mbi 140 të tjerë për t’u ftuar në gjykatë.
Megjithatë, ky numër pritet të reduktohet pas vendimit nga Trupi Gjykues.
“Trupi gjykues më 21 shkurt hulumtoi me palët mënyra se si ta bënte procedurën më efikase në dritën e afatit kohor të prillit 2025 të treguar nga Prokuroria për përfundimin e rastit dhe numrit aktual të dëshmitarëve që janë marrë në pyetje deri më tani”, thuhet në një përgjigje nga Gjykata Speciale për Nacionalen.
Përveç zvogëlimit të numrit të dëshmitarëve, Trupi Gjykues kërkoi nga palët të kenë kujdes në formulimin e pyetjeve në mënyrë që procesi të mos zgjatet.
“Në veçanti, u diskutua thjeshtimi i çështjes së prokurorisë dhe kryetari i trupit gjykues i dha PSP-së deri më 21 maj për të dalë me një vlerësim të ri, të reduktuar të numrit të dëshmitarëve të mbetur për t’u thirrur. U diskutuan edhe çështje të tjera në lidhje me përmirësimin e efikasitetit të çështjes, duke përfshirë rendin e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria, kohën e parashikuar për marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga ekipet e mbrojtjes dhe mundësinë e seancave të rregullta për të diskutuar ecurinë e rastet”, thuhet më tej në këtë përgjigje për Nacionalen.
Në fund, Dhomat e Specializuara kanë shprehur zotim për të garantuar gjykim të drejtë.
“Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës janë të përkushtuar që gjykimet t’i zhvillojnë në mënyrë të shpejtë, duke garantuar të drejtat e gjykimit të drejtë të të akuzuarve dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Për shembull, në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, Trupi Gjykues vazhdimisht ka lëshuar urdhra me qëllim të organizimit të dëshmive të dëshmitarëve dhe paraqitjes së provave sa më efikase”, përfundon përgjigja për Nacionalen.
Ky vendim për reduktimin e dëshmitarëve erdhi në një seancë ku u diskutuan çështjet procedural deri në këtë fazë të procesit.
Sa mund të zgjasin dëshmitarët e Prokurorisë?
Pak pa u bërë një vit që kur ka nisur procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, janë dëgjuar saktësisht 48 dëshmitarë. Megjithatë, Prokuroria e Specializuar po synon t’i thërrasë edhe 144 dëshmitarë të tjerë.
Nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë, atëherë edhe me gati 150 dëshmitarë, i bie që vetëm Prokuroria e Specializuar ka nevojë edhe për gati 3 vjet kohë që ta finalizojë rastin e saj. Duke ditur se krerët e UÇK-së kanë qëndruar për 3 vjet në paraburgim pa nisur gjykimi, atëherë periudha vlerësohet të jetë tejet e gjatë.
Por, që një gjë e tillë të mos ndodh, pritet të përkujdeset trupi gjykues. Ata kanë përcaktuar disa afate që Prokuroria e Hagës të tregojë se deri kur mund ta përmbyllë rastin e saj. Kujtojmë se fillimisht, ata kishin vlerësuar që mund ta përmbyllin rastin në prill të vitit 2025.
“Mendoj që të gjitha palët kanë luajtur rolin e vet për vonesat e shkaktuara deri tani. Ju garantoj që kam dëgjuar pyetje të përsëritura shumë herë nga mbrojtja, ashtu siç kam dëgjuar pyetje të përsëritura shumë herë nga Prokuroria”, tha Smith III.
Prokuroria e Specializuar tentoi të arsyetohet duke theksuar se pengimi i dëshmitarëve, ka bërë që të mos dëshmojnë ende një pjesë e dëshmitarëve më të rëndësishëm.
“Disa prej tyre janë thirrur, e disa prej tyre nuk janë thirrur për arsye që nuk varen nga ne. Njëra nga arsyet ishte pengimi i dëshmitarëve në këtë çështje, kjo na ka çuar që t’i sjellim dëshmitarët që nuk dëshironim. Na ka bërë të shmangemi në burimet edhe hapjen e çështjes së 10 dhe 11 për pengim të dëshmitarëve. Ka arsye që nuk varen nga ne. Qëllimi ynë është që të thërrasim dëshmitarët kryesor në fillim, disa prej këtyre i kemi thirrur, disa të tjerë jo për arsye që nuk varen nga ne”, tha prokurori.
“Nuk mund ta them me siguri numrin e orëve. Mund të them që periudha do të shkojë përtej 15 prill, do të shkojë mbi 500 por ne do të punojmë në dy fronte: duhet të shkurtojmë orët për dëshmitarë, dhe duhet të shpejtojmë edhe procesin e seancës apo gjykimit. Nuk është se kemi numër të caktuar orësh për të përfunduar procesin deri në prill 2025. Por, edhe ritmi i orëve duhet të përmirësohet”, tha Hawling nga ZPS-ja. Nacionale