Në rrethanat aktuale nuk mund të ketë zgjedhje të reja

22 prill 2020 | 21:23

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se tashmë dihet se PDK-ja nuk do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisë së re.

Por sipas tij kjo s’do të thotë se Kosova duhet të mbetet pa qeveri, sidomos sot, në kohë pandemie.

“Krijimi i qeverisë së re, sa është e drejtë kushtetuese, po ashtu është edhe domosdoshmëri politike për vendin dhe çdo variant tjetër është abuzim me pushtetin, Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Kosova është Republikë Parlamentare me përfaqësuesit e saj të zgjedhur direkt nga qytetarët. Këta të zgjedhur, 82 prej tyre, kanë votuar shkarkimin e kësaj qeverie. Janë po këta deputetë ata që do të vendosin se kush do të ketë të drejtën e krijimit të qeverisë së re dhe ta mandatojë kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se të gjithë duhet ta dimë se shkuarja në zgjedhje në këtë rast nuk mund të bëhet me ndonjë automatizëm të procesit politik.

“Prandaj, krijimi i një shumice të re parlamentare dhe vullneti politik i partive për qeveri të re, janë të ligjshme dhe kushtetuese. Në rrethanat aktuale politike dhe të shëndetit publik në Kosovë, nuk mund të ketë zgjedhje të reja. Të paktën jo në afat të shkurtër kohor. Kështu që qeveria e re del si pashmangshmëri dhe domosdoshmëri. Sepse, nëse partia e parë nuk mund të bëjë shumicën parlamentare dhe të krijojë qeverinë, nuk duhet të hyjmë në amulli. Nëse ka të tjerë që në Kuvend e bëjnë shumicën si parti apo koalicion partish, kjo duhet të ndodhë, edhe kur s’na pëlqen për shkak të preferencave tona partiake apo personale. Shmangia e të dy mundësive do ishte abuzim me pushtetin dhe shtetin”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se shteti i Kosovës është i përjetshëm dhe partitë dhe individët janë të përkohshëm.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Xhevat Zekaj, në foto të profilit me shokun,…