Në rrugën drejt lirisë ranë edhe dy shokë

16 mars 2018 | 10:42

Izmi Zeka

Idealizmi urban i heroit Rexhep Mala në disa pamje (5)

Mehmetali Rexhepi: Rexhep Mala, përuruesi i gueriles urbane në analizën e librit të Selatin Novosella “Rexhep Mala – Anteu i lëvizjes ilegale”, Prishtinë, 2007 Shkruan: “…Barrën e rëndë të mëvetësimit, shkëputjes nga kthetrat jugosllave, duhej ta lëvizte ilegalja. Pikërisht Rexhep Mala do të jetë një nga promotorët e lëvizjes ilegale, që do të sistemohet në kategori… Kjo kategori sublime artikuluese ishte e denjë për vetëvendosje të shqiptarëve si: Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Skender Kastrati, Zijah Shemsiu, Kadri Zeka, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Selatin Novosella, Fatmir Salihu, Nuhi Berisha, e tjerë.

Pararoja e një shtresimi atdhetar, tashmë të profilizuar, i shqetësonte strukturat shtetërore të pushtuesve.

Rexhep Mala e Nuhi Berisha me aktin e përballjes luftarake, shpërthyen ilegalen për t’i dhënë krah gueriles. Ata do t’ia ngrehin digën serisë së krimit të fshehur.

Në “Kodrën e Trimave” tash në kodrën e nderit të tyre, dy, vetëm dy, me plumba e këngë përballë: qindra policë, me tërë arsenalin sulmues, shfryjnë tërbimin mbi dy guerilas! Ata bien me këngë në gojë si në legjenda!”

Autori i këtyre rreshtave vë në pah luftën e dy guerilëve të kohës dhe paarritshmerinë e të tjerëve që të kuptojnë rëndësinë e tyre në momentet e kthesave. Paarritshmërinë për t’u qasur angazhimit në kohë dhe hapësirë dhe moskonceptimin e tyre nga të tjerët përreth ngjarjeve që ishin interes kombëtar.

Fitim Rifati një historian i ri dhe me perspektiv në një kumtesë me titull: “Shkrime disonante në gazetën “Rilindja” mbi rënien e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në janar të vitit 1984” ndër të tjera shkruan: “Rilindja” ishte organ i parë i shtypit në gjuhën shqipe në Kosovë, që pati një jetëgjatësi prej 45 vitesh. Një ditë pas luftës dhe rënies heroike të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në Prishtinë, më 11 e 12 janar të vitit 1984, redaksia e kësaj gazete, në numrin e të premtes së 13 janarit, sipas kumtesës së gjykatësit hetues të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Elez Hoxha, botoi një artikull të titulluar “Bënë vetëvrasje dy të arratisur”, në brendinë e të cilit shpalosej me përmbajtje alogjike e të deformuar rasti i Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës. Në këtë kumtesë, gjykatësi hetues nisi këtë përshkrim të ngjarjes me një profil të shkurtër biografik: “…Më datën 11 janar 1984, në orët e pasdites, shërbimi i sigurimit i KSA të Kosovës, pas konstatimit se ku fshihen, ndërmori masa arrestimi kundër Nuhi Berishës, i lindur më 3.10.1961 në fshatin Svircë, Komuna e Kamenicës, ish-student i Fakultetit Juridik, i arratisur që nga dhjetori i vitit 1982 dhe Rexhep Malës, i lindur më 29.3.1951, në fshatin Hogosht, Komuna e Kamenicës, ish-dënuar politik, i arratisur që nga tetori i vitit 1983…”.

Gjykatësi Hoxha e mbështeste aksionin policor me arsyetimin se ndaj tyre po zhvillohej procedurë penale “për vepër penale të bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore, sepse sipas tij  i takonin organizatës armiqësore ilegale, e cila bëri një mori aksionesh armiqësore, futi në vend nga bota material propagandues, eksploziv e armë”.

Edhe shtypi i kohës por edhe gjykatësit në Kosovë i bënin shërbim pushtetit serbo sllav.

Ky përshkrim i gjykatësit hetues të Qarkut të Prishtinës Elez Hoxha ishte më shumë për të mbuluar veprimet e pushtetit të egër serb ndaj shqiptarëve që mendonin ndryshe dhe punonin për lirinë e shqiptarëve.

Ideologët asnjëherë në histori nuk kanë bërë vetëvrasje por ishte më shumë për t’i dhënë kahe tjetër luftës së pabarabartë në “Kodrën e Trimave” dhe për të krijuar mjegull tek qytetarët e rëndomtë të Kosovës së robëruar për misionin që kishin idealistët në angazhimet e tyre politike e kombëtare. Nuk ishte e lehtë lufta dhe përpjekja për liri kombëtare kur kihen parasysh dy elementë të fuqishëm që sundonin Kosovën. Pushteti krahinor i udhëhequr nga të ashtuquajturit shqiptar dhe pushteti faktik serb që historikisht kishte mbytur në embrion qenien shqiptare.

Kjo ishte vetëm njëra nga shpërfaqjet e pushtetit të kohës përmes shtypit por edhe formave tjera propagandistike që përmes veglave shqiptare e bënte pushteti serbo sllav.

Jakup Krasniqi njëri ndër veprimtarët e çështjes kombëtare shkruan ndër të tjera: “Luftën kundër regjimit jugosllav populli ynë e konsideron (…) si të vetmen rrugë për realizimin e aspiratës së tij”.

Ata ishin të bindur se “shqiptarët e Kosovës fitoren e kishin nga gryka e pushkës”. Në këtë plan ata dhe brezi i tyre qenë parashikues të pagabueshëm. Citatet e sapo thëna i përkasin periudhës para se të burgosej Rexhep Malaj, por këtë mendim do ta kishin edhe pak ditë para rënies heroike, në duelin e armatosur me policinë, më 12 janar 1984. Pas rënies së tyre, shokët i kujtonin fjalët e Rexhepit: “Rruga e nisur s’duhet lënë përgjysmë! Vetëm me luftë mund të çlirohemi!” Këto fjalë u vinin atyre si amanet dhe si jehonë.

Berat Luzha njëri ndër atdhetarët e devotshëm pas rënies së dy heronjve në burgun e Nishit kishte shkruar tekst të këngës për Rexhën e Nuhiun. Kjo këngë ishte mesazh, frymëzim, rrugë, forcë për luftën që po bëni.

Ditë janari në Prishtinë

(Tekst kënge)

Ditë janari në Prishtinë
U ngrys qielli anembanë,
Ilegalët u rrethuan
Kërset pushka nga çdo anë.
(refreni)
Si Perlati dikur n’Shkodër
Sikur Vojo në Tiranë,
Dhurojnë jetën dy petrita
Për liri e për vatan
Ndër armiq e ndër tradhtarë
Bubullimë një zë jehon,
Nuk dorëzohen ilegalët
Ideali s’ua lejon.
Refreni…
Ra Rexhepi, ra Nuhiu
Sikur shumë dëshmorë të tjerë,
Në themelet e lirisë
Do t’qëndrojnë ata përherë.
Refreni…
E pikëlluar, por krenare
Është Kosova, nëna jonë,
Djemtë e saj robërinë e tundin
Çelë liria përgjithmonë.
Refreni…
1984, Nish

Pas rënies së Rexhepit dhe Nuhiut në një komunikatë të LRSHJ-së thuhej ndër të tjera: “Ju njoftojmë se në mes 10 e 11 janarit 1984, armiqtë e kombit shqiptarë i vranë mizorisht në Prishtinë dy djem të Kosovës, dy djem nga më të mirët të popullit tonë, Rexhep Malën, anëtarin e udhëheqësisë më të lartë të LRSHJ-së dhe Nuhi Berishën, udhëheqësin e Shtabit Operativ të LRSHJ për Universitetin ‘Kosova’.  Në rrugën tonë drejtë lirisë ranë edhe dy shokë, ranë edhe dy luftëtarë të lirisë, ranë për të mos vdekur kurrë dy udhëheqës, dy tribunë, dy militantë, dy heronj të popullit tonë trim, i cili do t’i mbajë për jetë në gji, do t’i rrisë në këngë dhe do t’ua marrë hakun”.

Historiografia shkencore duhet të ketë koncept të qartë, sepse ajo në realitet luan rol të rëndësishëm në formësimin e të menduarit politik e kombëtar të një populli dhe duhet të ketë në funksion trajtimin objektiv, sepse vetëm në këtë mënyrë krijon parakushte për formësim të mendimit politik. Në këtë relacion aktiviteti politik e kombëtar i Rexhep Malës është pasqyrim i realitetit objektiv në funksion të përgatitjes së kualiteteve të reja.

Instrument i vetëm në Kosovë që funksiononte për të krijuar parakushte për një jetë normale dhe të njëjtë me popujt e qytetëruar ishte lufta legale duke e mishëruar më atë ilegale.

Rexhepi vuri bazën e organizimit luftarak në Kosovë së bashku me Nuhiun.

Megjithatë dekadenca dhe profetizimet e pushtetmbajtësve pas viteve të ‘80-ta ishin të gabueshme, të cilat më vonë do t’i dëshmojë koha. Kjo dekadencë e pushtetit harronte se baza është në zemrën e popullit.

Vlerësimet e Rexhepit se lufta ilegale duhej të shtrihej në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare ishte ligj i natyrshëm dhe logjikë funksionale e interesave kombëtare. Ndikimi i tij në strukturat e mëvonshme shprehej përmes qëndrimit dhe aktit sublim që bëri gjatë viteve të jetës së tij.

Edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare u zhvillua mbi idealet e dëshmorëve mbi kornizat që i kishte vënë Rexhepi me shokë. Rruga e tij u kurorëzua me luftën çlirimtare që ishte edhe përpjekje dhe synim i luftës ilegale.

Për të përmbyllur këtë kumtesë analitike me premisa shkencore dhe historike po e përfundoj me një fjali të Rexhep Malës “Sy në sy me bandën titiste të Beogradit, i paarmatosur por fitimtar me drejtësinë në zemër”. (Fund)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi mjekësor i Shërbimit të Kardiokirurgjisë i Qendrës Klinike Universitare…