Në Rusi dezinfektimi bëhet me motorë reaktiv

12 prill 2020 | 15:25

Rusia raporton një rritje të ndjeshme të rasteve te reja me Covid-19. Autoritetet shëndetësore po aplikojnë masa të rrepta, por pa lënë pas edhe dezinfektimin, shpeshherë me metoda jotradicionale, siç ndodh në një qytet në lindje të vendit.

Një qytet rus në rajonin e Siberisë ka vënë në jetë një ide origjinale për të dezinfektuar sa më shumë hapësira publike nga rreziku i koronavirusit.

Prej ditësh, motori reaktiv i një aeroplani bombardues zhurmon në rrugët e qytetit, duke shpërndarë re solucioni kimik për të ndaluar infeksionin.

“Për idenë u bazova te një video se si e luftonin koronavirusin në Kinë. Atje përdornin disa mjete të vogla dhe shumë persona për të krijuar avuj dezinfektues, ndërsa ne arritëm në këtë zgjidhje,” tregon realizuesi i projektit, një ndërtues në qytetin e Çeljabinskit.

Banorët e kanë përshëndetur nismën ndërsa përhapja e virusit në qytet mbetet e ulët.

“Dezinfektimi mendoj se është i mirë për shëndetin tonë, le ta bëjnë përsëri.”

“Do më pëlqente më shumë të dezinfektonin komplekset e pallateve, dyert, dorezat e dyerve. Edhe ky opsion vlen,” shprehen qytetarët.

Megjithëse i rezistoi valës së epidemisë në fillimet e saj, Rusia tani raporton mbi 15 mijë raste të personave me koronavirus dhe një bilanc me mbi 130 të vdekur duke nisur nga java e fundit e marsit.

Dhjetëra autoambulanca u filmuan të shtunën në rrugët e Moskës në radhë për të dorëzuar të sëmurët e rinj.

Kremlini që deri muajin e kaluar deklaroi se e kishte situatën nën kontroll, thotë se spitalet e kryeqytetit po mbingarkohen me shpejtësi nga fluksi i pacientëve.

Ndërsa vendi aplikon masat të ndalimqarkullimit, javën e ardhshme autoritetet pritet të prezantojnë një sistem për lejedaljet e qytetarëve.

/Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me…