Në samitin e Bërdo-Brionit i bëhet thirrje BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnjë-Hercegovinës statusin e shtetit kandidat deri në fund të vitit 2022.
Pahor i bëri komentet në fund të samitit të procesit Bërdo-Brioni që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.
Kjo thirrje, tha ai, është edhe pjesë e gjashtë konkluzioneve që u miratuan pas samitit.
Përveç Pahorit, nikoqir i ngjarjes, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.
Pahor ka thënë se me udhëheqësit e vendeve të rajonit është rënë dakord që bisedimet të jenë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
“Samiti u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi këmbëngulur që të jemi më të bashkuar. Ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, ka deklaruar Pahor, duke mos dhënë shumë detaje, por duke thënë se besimi midis vendeve nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm.
Në konkluzionet e miratuara theksohet edhe rëndësia e zgjerimit të BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor.
Ky proces konsiderohet si “kontributi më i drejtpërdrejtë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”.
“1. Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë; 2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim; 3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën deri në fund të vitit 2022; 4. Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022; 5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor për zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike; dhe 6. Ne e afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për t’i kapërcyer dallimet dhe çështjet e hapura në rajon”, ka shkruar Pahor në “Twitter” derisa ka paraqitur konkluzionet e këtij samiti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se thirrja për liberalizimin e vizave për Kosovën është miratuar njëzëri në procesin e Bërdo-Brionit.
Ajo ka thënë se gjatë këtij viti pret që BE-ja të marrë vendim për këtë çështje, teksa ka shtuar se ka përkrahje në mesin e bllokut.
“Aktualisht nuk ka vend në BE që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave dhe besoj se e kemi momentumin më të mirë në këto katër vjetët e fundit. Pra, momentumi është i shkëlqyeshëm, e kemi mbështetjen e vendit që është nikoqir i këtij takimi [të Këshillit të BE-së që mbahet në Republikën Çeke] dhe takimet ministrore. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim të grupit punues për viza për ta shtyrë çështjen përpara. Dhe pastaj në samitin e ri BE-Ballkan Perëndimor, që pritet të mbahet më vonë, pas tetorit. Ajo që është me rëndësi është që ky vendim të merret gjatë Presidencës çeke, pra gjatë këtij viti”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Bashkimi Evropian nuk është popullor në mesin e qytetarëve të Serbisë, por tha se shpreson se kjo do të ndryshojë në të ardhmen.
“Unë vij prej një vendi i cili ndodhet në rrugën evropiane. Nuk do që të heq dorë prej saj, por në të cilin BE-ja është më së paku popullore. Nëse sot do të kishit një referendum në Serbi, në pyetjen: A doni të hyni në BE ose jo, qytetarët e Serbisë do të thoshin jo”, tha Vuçiqi pas samitit të Procesit Bërdo Brioni.
Ai, po ashtu, tha se shpreson se kjo do të ndryshojë “në muajt apo vitet e ardhshme”.
Ai shtoi se një nga arsyet kryesore për këtë është çështja e integritetit territorial të Serbisë.
Serbia konsideron se me pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, është shkelur integriteti i saj territorial.
Por, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar më 2010 se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se në takim nuk është biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.
“Unë e mbështes njohjen e Kosovës. Të gjitha vendet që nuk e kanë bërë këtë, duhet ta bëjnë, por në këtë [samit] nuk ishte rasti për të”, ka thënë Millanoviqi.
Ai, po ashtu, ka thënë se do të bëjë gjithçka të mundur që Procesi Bërdo-Brioni të vazhdojë, pasi Pahor përfundon mandatin e dytë presidencial këtë vit.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.
Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.
Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Kosova, po ashtu, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në. Edhe pse Komisioni Evropian ka konfirmuar se ajo i ka plotësuar kushtet, disa vende, si Franca dhe Holanda, shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.