Në SBASHK shtohen kërkesat për të rikthyer protestat e grevat
Në takimin e rregullt me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve që ka organizuar SBASHK-u janë zhvilluar biseda për situatën aktuale në arsim dhe janë hedhur vërejtje e kritika të shuma në adresë të Qeverisë Kurti për mungesë të dialogut, për qasjen e gabueshme ndaj sindikatave dhe kërkesave të anëtarësisë dhe për tendencën e ministrit Murati që të mohojë me ndryshime të ligjeve aktuale të drejtat e fituara të punëtorëve të arsimit. Kështu është bërë me dije në njoftimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për medie.
“Në këtë takim është kritikuar edhe ngritja ironike e koeficientit të pagës nga 105 në 110 euro duke e cilësuar si nënçmuese ngritjen prej vetëm 28 euro të pagave në sistemin arsimor parauniversitar. Përfaqësuesit e të punësuarve në tërë sistemin arsimor, që nga çerdhet e deri në universitete kanë paraqitur gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë para kryetarit të SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe stafit qendror dhe pas diskutimeve të shumta të gjithë kanë ardhur në përfundim se duke parë qëndrimin negativ të Qeverisë Kurti ndaj sindikatave dhe zërit të anëtarësisë dhe duke parë se ministri Murati vazhdon angazhimet kundër dialogut sindikal duke bllokuar punën e Këshillit Ekonomik Sindikal, duke parë se po vazhdon bllokimi i nënshkrimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, duke parë se ministrja Nagavci vazhdon me inatet dhe nuk përfaqëson kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe mundohet ta mohojë edhe Kontratën Kolektive për Arsimin e Kosovës, pjesëmarrësit në këtë takim kanë nxjerr si përfundim se duhet vazhduar me bashkëbisedat me anëtarësinë dhe duhet rikthyer veprimet sindikale duke filluar me një protestë me gjithë udhëheqësit sindikal të shkollave, çerdheve dhe universiteteve e institucioneve të kulturës e nëse Qeveria Kurti vazhdon me qasjen e njëjtë injoruese atëherë të vazhdohet me veprime sindikale duke paralajmëruar se do të përsëritet viti 2022 me një grevë të përgjithshme më 1 shtator, e cila do të vazhdojë deri në plotësimin e plotë të kërkesave të anëtarësisë”, është theksuar në njoftimin për medie.
SBASHK-u ka njoftuar se “me këtë alarm publik iu drejtohet edhe medieve, shoqërisë civile, deputeteve e deputetëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që ta ngritin zërin dhe të kërkojnë nga Qeveria që të ndryshojë qasjen ndaj dialogut dhe të realizojë kërkesat e anëtarësisë së SBASHK-ut dhe sindikatave tjera sepse në të kundërtën do të kthehet ajo që ndodhi në vitin 2022 kur tërë sistemi arsimor ishte në veprime sindikale e pastaj edhe në grevë të përgjithshme, e cila fatkeqësisht zgjati më shumë se një muaj. Nëse Qeveria vazhdon kështu, atëherë protestat e grevat do të rikthehen dhe fajtorët janë kryeministri Kurti, ministri Murati e ministrja Nagavci dhe jo vetëm”.