Në seancë të improvizuar, Ali Ahmeti “zgjedhë” Ziadin Selën Kryetar të Kuvendit dhe Bujar Osmanin President të Maqedonisë
Koalicioni “Fronti Evropian”, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), të enjten ka improvizuar seancën simuluese konstituive të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në një nga hotelet e Shkupit, e cila është udhëhequr nga Ali Ahmeti, ku kanë “zgjedhur” Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë seancë, president është zgjedhur kandidati i “Fronit Evropian” për këtë pozitë, Bujar Osmani, ndërsa në krye të kuvendit kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela.
“Konstatoj se me 120 për, deputeti Ziadin Sela është zgjedhur kryetar i Kuvendit të RMV-së. Më lejoni që në emrin tuaj dhe në emrin tim, deputetit Ziadin Sela të ia uroj zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të RMV-së dhe i uroj suksese në punë”, tha Ahmeti, dhe pas kësaj Sela bëri edhe “betimin” e improvizuar.
Më pas seanca e improvizuar u drejtua nga Sela. Aty me “shumicë votash” u miratuan ndryshimet kushtetuese – të domosdoshme për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian – si futja e bullgarëve në preambulën e kushtetutës, apo siç njihet ndryshe si Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, kërkesë eksplicite e Sofjes zyrtare.
Pas kësaj, edhe presidenti, në këtë rast Osmani, u zgjodh në “kuvend” me 2\3 e votave të “deputetëve”.
gjitha këto vendime të marra në këtë seancë të improvizuar janë premtime që “Fronti Evropian” është duke i bërë në garën zgjedhore presidenciale (24 prill raundi i parë, 8 maj i dyti) dhe atë parlamentare (8 maj).
Pos këtyre, në këtë “seancë konstituive” u vendos edhe hapja e menjëhershme e kapitujve, posaçërisht kapitullit 23 dhe 24 për sundimin e ligjit dhe të së drejtës me çka mundësohet progres i shpejtë i këtij vendi dhe shfrytëzimi i menjëhershëm i 2 miliardë eurove grante dhe 4 miliardë eurove kredi për zhvillim dhe anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.
Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë, nga 7 sa janë pretendent gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Nga ana tjetër është Arben Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Albin Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.