Në Serbi lindin dyshime për zvarritje gjyqësore në rastin Radoiçiq: A thua çfarë di ai për politikën dhe aktivitetet e qeverisë së Vuçiqit në Kosovë?

11 dhjetor 2024 | 12:32

Ka më shumë se një vit qysh kur Milan Radoiciq bashkë me një grup serbësh ka kryer sulmin në fshatin Banjskë.

E po aq kohë ka që edhe ai vet e pranoi publikisht se ishte pjesë dhe në krye të atij sulmi. Prej atëherë Serbia pasi  e mori në pyetje, e ka lënë atë të lirë. Deri para pak ditësh kur një deklaratë e kryeprokurorit serb ri aktualizoj çështjen e kryesit të sulmit në fshatin e veriut të Kosovës.

Bashkimi Evropian (BE) është në dijeni për njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se së shpejti do të merret vendim për aktakuzën kundër Milan Radoiçiqit, është bërë e ditur për Radion Evropa e Lirë nga Brukseli, duke kujtuar se pret nga Serbia që të sigurojë përgjegjësinë e plotë për autorët e sulmit në Banjskë.

“Kjo nënkupton ndjekjen penale dhe sjelljen në gjykatë të të dyshuarve që ndodhen në Serbi dhe sigurimin e bashkëpunimit të plotë në hetimin e sulmit,” tha zëdhënësja e BE-së Anitta Hipper.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha më 2 dhjetor se vendimi për të paditur Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, do të merret në fund të këtij viti ose në fillimi i vitit 2025.

Njoftimi erdhi një ditë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për ekstradimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Por në Serbi, nuk po iu besojnë këtyre deklaratave të kryeprokurorit serb. Predrag Petroviq nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikë të Sigurisë, thotë se aktualisht opsioni për një aktakuzë ndaj Radoiçiqit, duket jorealist.

“Së pari sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe arsyeja e dytë është vetë Radoiçiq dhe çfarë di ai për politikën dhe aktivitetet e qeverisë së (presidentit serb Aleksandar) Vuçiq në Kosovë”, tha Petroviq.

Kurse Strahinja Subotiq nga Qendra për Politikë Bashkëkohore tha se injorimi i Serbisë ndaj një cështjeje kaq e madhe, mund t’i kushtojë Serbisë.

“Serbia duhet të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës në mënyrë që të kënaqë shtetet anëtare që besojnë se lënia e një çështjeje kaq të madhe të pazgjidhur mund të shkaktojë probleme të mëtejshme,” i tha REL-it Subotiq.

Beogradi shpalli vendimin për të ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit pas më shumë se një viti nga fillimi i hetimeve për sulmin në Banjska.

Vendimi për aktakuzën serbe për sulmin e armatosur në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës në shtator të vitit 2023, erdhi edhe në ditët kur BE-ja po vendos për zhbllokimin e mundshëm të negociatave të anëtarësimit me Serbinë.

Kryeprokurori publik Nenad Stefanoviq ka deklaruar më 2 dhjetor për portalin “Kosovo Online” se gjatë hetimeve lidhur me “ngjarjen në qytetin e Banjskës janë ndërmarrë mbi 40 veprime procedurale”.

Por avokati serb Bozho Preleviq i ka dyshimet e tij për ngritjen ose jo të një aktakuze ndaj Radoiciqit.

“Vendimi mund të jetë ngritja e një padie, ose jo ngritja e saj,” tha avokati.

“Ai vendim zakonisht merret pas analizimit të provave në shkresat e lëndës. Pasi që kjo lëndë është e mbyllur për publikun, ne nuk e dimë se çfarë provash ka prokurori dhe as nuk e dimë se kush është dëgjuar”, shton ai.

Prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve të REL se çfarë ka gjetur hetimi dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë.

Serbia e dyshon Radoiçiqin për “një krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve”.

Kosova, në anën tjetër, sulmin në Banjskë e cilëson si terrorist, ndërsa Radoiçiq dhe të tjerë të përfshirë janë të lidhur me shkeljen e rendit kushtetues dhe veprime kundër sistemit juridik të Kosovës.

Pas seancës dëgjimore në Beograd në tetor 2023, Radoiçiq u lirua, me ndalim të largimit nga Serbia dhe detyrim për t’u paraqitur në stacionin policor kompetent çdo ditë të parë dhe të pesëmbëdhjetë të muajit.

Gjykata e Lartë i konfirmoi se kjo masë është shtyrë deri në janar 2025 dhe se Radoiçiq e “respekton”.

Megjithatë, nuk dihet se ku banon aktualisht Radoiçiq në Serbi.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përgjigj se në cilin stacion policor të raportohet.

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti e u lëndua një tjetër, në një sulm nga një grup i organizuar në Banjskë të Zveçanit.

Sulmi u dënua nga krerët e shtetit dhe ndërkombëtarët, duke bërë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë

I gjithë rasti ndodhi pasi në hyrje të fshatit Banjskë ishin vendosur dy kamionë pa targa, duke e bllokuar hyrjen përmes urës në atë vend. Aty patrulla policore që pa barrikadën njoftoi kolegët tjerë në bazë, e që mesin e zyrtarëve që iu bashkuan kolegëve në vendngjarje ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dy ditë pas sulmit, ka publikuar pamje të Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, i cili është edhe pjesë e listës së zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, teksa shihet në Manastirin e Banjskës bashkë me sulmuesit tjerë. Ndaj tij, më 7 dhjetor 2023 u bë e ditur se INTERPOL ka lëshuar fletarrest, por se ende vazhdon të jetë në arrati.

Më 28 shtator 2023, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë që dënon sulmin në Banjskë. Rezolutë që dënon këtë sulm miratoi edhe Parlamenti Evropian më 19 tetor 2023.

E kreu i grupit kriminal, Milan Radioiçiq më 29 shtator mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete e LDK-së, Arjeta Salihu-Abazi, ka liruar pozitën…