Në Serbi propozohet mural për ish-gjeneralin e dënuar për krime lufte në Kosovë
Një garë për të krijuar një mural të ish-gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte në Kosovë, është dënuar si pjesë e një “politikë shtetërore” të mohimit të mizorive dhe lavdërimit të autorëve.
Një konkurs për të krijuar një mural të Nebojsha Pavkoviçit, një ish-gjeneral i Ushtrisë Jugosllave që vuan dënimin me 22 vjet burg për krime lufte, është një “vazhdim” i politikës së shtetit serb për të mohuar krimet e luftës, tha të premten Jovana Kolariç nga Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd, e cila monitoron gjyqet për krimet e luftës.
“Ne nuk kemi më hapësirë për t’i parë gjërat si kjo si një incident individual dhe nuk kemi asgjë për t’u habitur. Është një politikë e gjatë e shtetit për të mohuar krimet e luftës dhe për të lavdëruar ata që janë përgjegjës për ato krime”, tha Kolariç për BIRN.
Instituti Kulturor i Cuprijës, një organ publik lokal në qytetin në Serbinë qendrore, e shpalli “konkursin për krijimin e një muraleje të gjeneralit Nebojsa Pavkoviç” më 10 dhjetor.
Pavkoviçi u lind në fshatin Senjski Rudnik, rreth 20 kilometra nga Cuprija. Ai ishte komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë Jugosllave nga dhjetori 1998 deri në fillim të vitit 2000, gjatë luftës së Kosovës.
Dhomat e Apelit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNY, në vitin 2014 lanë në fuqi vendimin e fajësisë që dënonte Pavkoviçin dhe tre zyrtarë të tjerë të profilit të lartë ushtarakë dhe civilë jugosllavë për krime lufte në Kosovë.
Përveç Pavkoviçit, u dënuan edhe ish-zv/kryeministri jugosllav Nikola Sainoviç, ish-gjenerali i Ushtrisë Jugosllave Vladimir Lazareviç dhe ish-gjenerali i policisë serbe Sreten Lukiç.
Sipas vendimit të shkallës së parë të vitit 2009, “pati një fushatë e gjerë dhune e drejtuar kundër popullatës civile shqiptare të Kosovës e kryer nga forcat nën kontrollin e autoriteteve jugosllave dhe serbe, gjatë së cilës pati incidente vrasjesh, sulmesh seksuale dhe shkatërrimi i qëllimshëm i xhamive”.
Instituti Kulturor i Cuprijës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it të dërguara me email.
Teksti i konkursit thotë se “muralet, format e ndryshme të artit të rrugës dhe interpretimet e tjera artistike në hapësirën publike konsiderohen sot një pjesë integrale e imazhit kulturor bashkëkohor të një qyteti”.
Instituti tha se do të paguajë 330,000 dinarë (rreth 2,821 euro) për punën.
Kushtet e konkursit thonë se propozimet për murale “duhet të korrespondojnë me rëndësinë kombëtare, veprat dhe rëndësinë e gjeneralit Pavkoviç për historinë bashkëkohore kombëtare”.
Thirrja thotë gjithashtu se “muralja e ardhshme do të vendoset në afërsi të Sheshit të Përkujtimit të Viktimave të Agresionit të NATO-s” në qytet – duke përkujtuar njerëzit e vrarë në bombardimet e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999. Aleanca ushtarake perëndimore nisi fushatën e sulmeve ajrore në një përpjekje për të ndalur krimet e luftës në Kosovë.
Teksti është “i turpshëm”, tha Kolariç, duke shtuar se “na del që imazhi i një qyteti, konkretisht Cuprija, duhet të përfaqësojë imazhin e një krimineli lufte”.
“Nebojsa Pavkoviç u dënua në bazë të përgjegjësisë penale individuale për dëbim, transferim të detyruar, vrasje dhe persekutim si krime kundër njerëzimit dhe për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës me 22 vjet burg dhe duhet të mbahet mend si i tillë”, tha ajo.