Në Serinë A fëmijët nuk do të mbledhin më topa
Seria A ka vendosur të bëjë një ndryshim të vogël në fillimin e sezonit të ri. Që nga ky vit, fëmijët që mbledhin topat rrotull fushës nuk do të jenë më, me një përjashtim.
Mbledhësit e topave janë bërë shpesh protagonistë të vonesave të lojës, apo duke i krijuar lojtarëve të skuadrës së tyre avantazhe me “pasime të shpejta” që gjejnë në befasi kundërshtarët. Ndaj është vendosur që kjo gjë të ndryshojë.
Nga ky sezon do të vendosen topa në vende të caktuara rreth fushës dhe do të jenë lojtarët ata që do të shkojnë t’i marrin dhe rifillojë lojën në rast rivëniesh anësore.
I vetmi vend ku do të ketë përsëri fëmijë që mbledhin topat, është pjesa pas portave, ku ka më shumë hapësirë e do të duhet që të ketë vazhdimisht kthim të topit për portierin apo për ekipin kundërshtar për goditje këndi.